Takimi Bozhinovska – Balluku: Interkonektori mes dy vendeve, prioritet për lidhjen e rrjetit energjetik rajonal

Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim produktiv me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë, znj. Belinda Balluku. Bisedimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e energjisë, me theks të veçantë në përparimin e projektit për interkonektorin midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, i cili do të mundësojë lidhjen energjetike ndërmjet dy vendeve.

 

Projekti për interkonektorin, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe institucione të tjera ndërkombëtare, synon të sigurojë stabilitet energjetik dhe rritje të fleksibilitetit në furnizimin me gaz natyror për të gjithë rajonin. Plani parasheh që interkonektori të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë rajonal energjetik, që do të lidhë rajonin tonë, duke mundësuar pavarësi dhe konkurrueshmëri më të madhe energjetike.

 

Të dyja palët theksuan rëndësinë e këtij interkonektori si infrastrukturë kyçe për lidhjen energjetike në rajon, që parashikohet të lidhë sistemet energjetike të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Greqisë. Ky projekt do të mundësojë furnizim të përforcuar dhe diversifikim të burimeve energjetike, rritje të stabilitetit dhe efikasitetit energjetik, si dhe reduktim të varësisë nga importi i energjisë.

 

Ministrja Bozhinovska theksoi se kjo lidhje është me rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut. “Me realizimin e këtij interkonektori, Maqedonia e Veriut do të ketë qasje direkte në rrjetet e gazsjellësve të Shqipërisë dhe Greqisë, çka do të na sigurojë një furnizim të qëndrueshëm dhe të larmishëm me energji. Kjo është jetike jo vetëm për sektorin energjetik, por edhe për ekonominë e përgjithshme të vendit,” theksoi ministrja Bozhinovska.

 

Gjatë bisedimeve u hap edhe tema e lidhjes së tregjeve të energjisë, si pjesë e vizionit më të gjerë për bashkëpunim rajonal. Qëllimi i lidhjes së tregjeve është lehtësimi i tregtisë me energji, optimizimi i përdorimit të burimeve dhe mundësimi i transparencës dhe konkurrueshmërisë më të madhe në sektorin energjetik. Krijimi i një tregu më të madh të përbashkët do të mundësojë më shumë fleksibilitet, që është kyç për përshtatjen me burimet e rinovueshme dhe reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile.

 

Nga ana e znj. Balluku, u theksua përkushtimi i Shqipërisë për mbështetjen e iniciativave rajonale që lehtësojnë tranzitin energjetik dhe forcojnë bashkëpunimin në Ballkan. Gjatë takimit, dy ministrat u dakorduan për hapat e mëtejshëm dhe planifikuan një takim tjetër bilateral me qëllim përshpejtimin e zbatimit të projekteve që janë me interes për të dy vendet dhe për rajonin.

 

Me këtë takim, të dy vendet tregojnë gatishmërinë për të ecur përpara së bashku drejt një rajoni të integruar dhe të pavarur energjetikisht, si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave evropiane për energji të qëndrueshme dhe një kontinent neutral ndaj klimës.

Accessibility Menu