Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, mbajti një fjalim në panelin “Rruga drejt Ndërtesave me Konsum Zero Energjie në Rajonin e Gjerë të Ballkanit”, i cili u zhvillua në kuadër të Samitit të Klimës COP29 në Baku, Azerbajxhan. Ngjarja ishte e përqendruar në mundësitë që ofron efikasiteti energjetik si një motor kyç për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe siguri më të lartë energjetike në rajon.
Bozhinovska prezantoi përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për të përmirësuar efikasitetin energjetik, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Ajo theksoi rëndësinë e iniciativës për Ndërtesa me Konsum Zero Energjie (NZEBs) si një hap themelor për tranzicionin e rajonit drejt një të ardhmeje me emetime të ulëta të karbonit. Sipas saj, udhërrëfyesi i fundit i UNDP për rajonin thekson se arritja e standardeve NZEB është një sfidë teknike dhe politike që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Në fjalën e saj, ministrja Bozhinovska theksoi:
“Rajoni ynë, Ballkani, ndodhet në një pikë kritike. Me infrastrukturë të vjetëruar energjetike dhe varësi të madhe nga lëndët djegëse fosile të importuara, përballemi me pasojat e prekshme të ndryshimeve klimatike: temperatura në rritje, varfëri energjetike në rritje dhe presion mbi ekonomitë dhe komunitetet lokale. Sektori i ndërtimit, i cili përfaqëson mbi 40% të konsumit total të energjisë në rajon, është njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ndryshime transformuese. Harmonizimi me Bashkimin Evropian përmes Direktivës për Performancën Energjetike të Ndërtesave është thelbësor për integrimin tonë në tranzicionin e gjelbër të Evropës dhe për qëndrueshmëri energjetike. Për shumë vende në rajon, kostot fillestare për teknologjitë efikase energjetike mbeten një barrierë e konsiderueshme, ndërsa mungesa e standardeve të harmonizuara dhe mekanizmave për zbatimin e NZEB paraqet një sfidë shtesë. Megjithë progresin e arritur, për të përmbushur plotësisht standardet NZEB, është e nevojshme forcimi i kuadrit rregullator dhe mekanizmave institucionalë.”
Ministrja theksoi se për Maqedoninë, përmirësimi i efikasitetit energjetik në sektorin e ndërtimit është një nga përparësitë më të larta të agjendës kombëtare për klimën. Edhe pse Maqedonia ka arritur objektivin e saj kombëtar prej 30.5% për përdorimin e burimeve të rinovueshme për ngrohje dhe ftohje, ekziston ende nevoja për përmirësime teknologjike për të eliminuar përdorimin e sistemeve të vjetra me biomasë.
Ajo theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e efikasitetit energjetik përmes Ligjit për Efikasitet Energjetik, i cili kërkon zhvillimin e një strategjie afatgjatë për rinovimin e ndërtesave për një periudhë prej të paktën dhjetë vitesh.
“Qasja jonë përfshin ndërtimin e ndërtesave të reja dhe rinovimin e fondit ekzistues ndërtimor. Sipas Ligjit për Efikasitet Energjetik, jemi të detyruar të zhvillojmë një strategji për rinovimin e ndërtesave me një periudhë prej të paktën dhjetë vitesh. Kjo strategji kërkon rinovimin vjetor të të paktën 1% të sipërfaqes totale të ndërtesave publike, duke siguruar përputhje me standardet minimale të efikasitetit energjetik.”
Realizimi i këtyre qëllimeve, siç theksoi ministrja, varet nga operacionalizimi i plotë i Fondit për Efikasitet Energjetik, i cili është thelbësor për financimin e projekteve NZEB dhe rinovimeve.
“Operationalizimi i plotë i Fondit për Efikasitet Energjetik është prioritet për realizimin e ambicieve të Maqedonisë në lidhje me NZEB. Besojmë se ky fond do të luajë një rol kyç në financimin e strategjisë afatgjatë për rinovimin, veçanërisht për rinovimin e ndërtesave publike dhe banesore me qëllim përmirësimin e performancës energjetike. Maqedonia mbetet e përkushtuar për të rritur efikasitetin energjetik si një shtyllë kryesore të strategjisë së saj klimatike. Nëpërmjet bashkëpunimeve rajonale dhe ndërkombëtare, punojmë aktivisht për përmbushjen e objektivave të përcaktuara në Udhërrëfyesin e UNDP dhe Marrëveshjen e Parisit. Me përmirësimin e performancës energjetike të sektorit të ndërtimit, ne kontribuojmë në përfitime ekonomike, siguri energjetike dhe një mjedis më të pastër,” përfundoi ministrja.
Samiti COP29, që zhvillohet nga 10 deri më 15 nëntor, mbledh liderë botërorë, ekspertë dhe përfaqësues qeveritarë për të forcuar veprimet globale për mbrojtjen e klimës. Pjesëmarrja e ministres Bozhinovska tregon përkushtimin e Maqedonisë ndaj objektivave të përbashkëta për një të ardhme të qëndrueshme dhe me karbon të ulët.