18 nëntor 2024 – Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës mbajtën një mbledhje të përbashkët ndërqeveritare në Prishtinë, gjatë së cilës u nënshkruan protokolle dhe memorandume bashkëpunimi.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës nënshkruan një Memorandum që vendos themelet për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin energjetik. Në nënshkrim morën pjesë edhe kryeministrat e të dyja vendeve, Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.
Memorandumi nënvizon interesin e përbashkët të të dyja vendeve për zhvillimin e një partneriteti strategjik në fushën e energjisë përmes politikave dhe aktiviteteve të harmonizuara që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, sigurinë energjetike dhe përdorimin racional të burimeve natyrore.
Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Maqedonia e Veriut dhe Kosova u angazhuan të bashkëpunojnë në disa fusha kyçe, përfshirë:
-
Promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe efiçiencës energjetike.
-
Shkëmbimin e ekspertizës dhe informacioneve ndërmjet kompanive publike.
-
Zhvillimin e projekteve infrastrukturore me interes të përbashkët.
-
Hulumtimin e mundësive për shkëmbim të energjisë elektrike dhe burimeve.
"Me këtë memorandum, ne forcojmë jo vetëm sistemet tona energjetike, por edhe vizionin tonë të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm, stabil dhe të ndërlidhur. Jemi të bindur se kjo bashkëpunim do të sjellë përfitime të mëdha për të dyja vendet dhe do të shërbejë si shembull për partneritet në Evropën Juglindore," theksoi Ministrja Sanja Bozhinovska.
Memorandumi thekson rëndësinë e tranzicionit energjetik dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të përbashkëta për të përballuar sfidat globale të energjisë, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe krizës energjetike.