Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, vizitoi termocentralin Oslomej në afërsi të Kërçovës, një nga kapacitetet energjetike kyçe të vendit. Vizita është pjesë e përpjekjeve të ministres për të vizituar rregullisht objektet energjetike me qëllim që të njihet drejtpërdrejt me gjendjen në terren dhe të përshpejtojë tranzicionin që do të sjellë stabilitet dhe pavarësi energjetike.
“Gjendja që gjetëm është e keqe dhe këtë nuk do ta fshehim. Por ajo që mund të them është se po bëhen përpjekje maksimale, madje edhe të pamundura ndonjëherë, për të stabilizuar kapacitetet. Me angazhimin e ekspertëve tanë dhe menaxhmentit të ri, tashmë shohim rezultate pozitive,” deklaroi ministrja Bozhinovska.
Ministren e pritën përfaqësues të ekipit drejtues të ESM-së dhe drejtorët e REK Oslomej, të cilët e informuan në detaje për gjendjen aktuale, si dhe për situatën e trashëguar pas ndërrimit të udhëheqësisë. Bozhinovska bëri një inspektim nëpër termocentral, duke përfshirë ndërtesën e makinave, turbinën, vendndodhjen e kaldajës dhe komandën e bllokut.
“Makineri që përballen me barrën e kohës, qymyr që është larg cilësisë që do të mbështeste prodhimin, dhe pajisje teknike që urgjentisht kërkojnë zëvendësim. Kjo është vetëm një pjesë e gjendjes katastrofale në të cilën është lënë REK Oslomej. Por përveç sfidave, ka edhe diçka tjetër – njerëz të përkushtuar që refuzojnë të dorëzohen, dhe plane për transformim që premtojnë një epokë të re,” theksoi Bozhinovska.
Drejtori i REK Oslomej, Sasho Vrencoski, informoi se, edhe pse përballë rezervave të shterura të qymyrit, gjendjes katastrofale të trashëguar, mungesës së remontit të termocentralit dhe gjysmës së pjesëve të nevojshme për prodhim jo-funksionale, megjithatë REK Oslomej arriti që për gati gjysmë muaji të ndihmojë në sigurimin e energjisë për një sezon më të qëndrueshëm ngrohjeje për të gjithë qytetarët në Maqedoni.
“Falë përpjekjeve të përbashkëta të menaxhmentit të ri dhe punonjësve, arritëm, sipas mundësive dhe kohës së shkurtër për përgatitje, ta bëjmë kapacitetin funksional, ta lidhim me sistemin elektroenergjetik me qëllim që të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike. Nëse sigurojmë furnizim me qymyr, shpresojmë se termocentrali do të mund të përballojë sfidat dhe të ndihmojë gjatë muajve të ardhshëm të dimrit,” theksoi Vrencoski.
Bozhinovska shprehu dëshirë të bisedojë drejtpërdrejt me punonjësit dhe të dëgjojë nga ta me çfarë përballen. Një punonjës me 40 vite përvojë pune pikërisht në këtë qendër, me të njëjtin zell si në fillim të karrierës së tij, e informoi ministren se kanë qenë të detyruar të përdorin të gjithë përvojën dhe njohuritë e tyre për të nxjerrë më të mirën nga qymyri i dobët që iu ishte sjellë më parë dhe që ende e përdorin sepse duhet të shfrytëzojnë rezervat për të kursyer për shtetin. Ai tha se bashkë me kolegët kanë arritur të zbusin të paktën pasojat mbi makineritë e dëmtuara dhe kanë parandaluar dëmtimin e tyre të pakthyeshëm, por apeloi te ministrja që të angazhohet për kontrolle të rrepta në lidhje me cilësinë e qymyrit që blihet.
Bozhinovska e falënderoi për punën e përkushtuar 40-vjeçare dhe i siguroi punonjësit se koha e shpenzimeve të papërgjegjshme, marrëveshjeve në katër sy dhe neglizhencës ndaj kapaciteteve jetike për qytetarët e tërë vendit ka përfunduar dhe jo vetëm që nuk do të lejohet më, por do të sanksionohet ashpër.
Ministrja vizitoi edhe laboratorin ku u informua se në atë institucion kanë rezultatet më të sakta për përbërjen e qymyrit që analizojnë, dhe i thanë ministres që të mos dyshojë në rezultatet e tyre. “Ne e njohim edhe kombinatin, edhe qymyrin, edhe makineritë tona të vjetra, dhe me aparaturën e re që morëm kohët e fundit tani jemi edhe më të saktë, e nëse marrim pajisje edhe më moderne, nuk do të ketë më të saktë se ne,” u krenuan punonjësit e laboratorit.
Ministrja shprehu dëshirë që, në vend të një takimi pune me udhëheqësinë në zyra, t’u bashkohej punonjësve në mensë, ku përveç që kaluan më shumë kohë me punonjësit, u diskutua për sfidat e sezonit aktual të ngrohjes dhe planet afatgjata për transformimin e kapaciteteve. Ministrja Bozhinovska theksoi rëndësinë e investimeve ambicioze në energji të pastër.
Drejtori për zhvillim dhe investime Vladimir Pejoski prezantoi planet për vitin 2025, duke theksuar se transformimi është në rrjedhë. “Po ndërtojmë kapacitete të reja për energji të ripërtëritshme. Para disa ditësh shpallëm thirrje për ndërtues për ndërtimin e dy centraleve fotovoltaike FEC Oslomej 2 dhe FE Bitola 1 me fuqi totale të instaluar prej 30 MW. Po punojmë edhe në studime fizibiliteti për projekte që do të sjellin edhe më shumë pavarësi energjetike,” tha Pejoski.
“Detyra jonë është të përballemi me realitetin, por edhe të tregojmë se me punë dhe vizion, mund ta ndryshojmë atë realitet. Do të vazhdoj të vizitoj rregullisht objektet energjetike nëpër Maqedoni për të marrë një pamje të drejtpërdrejtë të gjendjes dhe për të siguruar që çdo përpjekje e investuar të sjellë rezultate konkrete. Vetëm me punë të kujdesshme, profesionalizëm dhe përkushtim do të sigurojmë stabilitetin dhe pavarësinë energjetike që qytetarët tanë e meritojnë,” theksoi Bozhinovska në fund të vizitës.