Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale po e ndjek me vëmendje të veçantë situatën aktuale energjetike, veçanërisht në kontekstin e tregjeve të naftës dhe rreziqeve të mundshme gjeopolitike.
Në kuadër të kompetencave të saj, Ministria informon opinionin publik se Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës vazhdimisht i monitoron dhe i mirëmban rezervat shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm, stabilitet të tregut dhe gatishmëri për reagim në kohë në rast të çfarëdo ndërprerjeje të importit apo furnizimit.
Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës – MAKORA ka detyrim ligjor për formimin dhe mirëmbajtjen e rezervave shtetërore të naftës dhe derivateve të naftës në përputhje me rregullativën evropiane, përkatësisht me Direktivën 2009/119/EC, e cila përcakton mbulimin minimal të detyrueshëm për një numër të caktuar ditësh të konsumit mesatar ose importit.
Këto rezerva shtetërore paraqesin siguri strategjike të sistemit. Ato ruhen si mekanizëm sigurie dhe nuk përdoren në kushte të rregullta të tregut, por ekskluzivisht me vendim të Qeverisë, në rast të shpalljes së krizës energjetike ose çrregullimit serioz të furnizimit.
Aktualisht, importi i derivateve të naftës është plotësisht i liberalizuar dhe zhvillohet pa pengesa, pa kufizime apo ndërprerje. Si Ministri, e ndjekim me kujdes gjendjen në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike dhe konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme. Nëse paraqitet ndonjë mungesë apo ndërprerje e mundshme që mund ta rrezikojë furnizimin, Qeveria do të reagojë në kohë dhe në mënyrë adekuate, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë
Në këtë moment, rezervat shtetërore janë stabile dhe sipas informacioneve në dispozicion, vendi ynë renditet ndër më të përgatiturit në rajon sa i përket mbulueshmërisë dhe sigurisë së furnizimit.
Si masë parandaluese, nëse nesër paraqitet ndonjë problem i mundshëm në treg, shteti disponon me rezerva të të gjitha llojeve të derivateve të naftës, si vijon
· Eurodiesel – 138,877,053 litra
· Eurosuper BS-95 – 32.098.680 litra
· Vaj ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) – 10,772,342 litra
· Mazuti M-1 NS – 5.287.794 kilogramë
Përveç rezervave strategjike, furnizimi i rregullt me derivate të naftës realizohet disa herë gjatë vitit, ndërsa rezervat plotësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të përshtatshme, në përputhje me dinamikën e konsumit dhe detyrimet ligjore. Në këtë mënyrë sigurojmë stabilitet, parashikueshmëri dhe siguri në furnizimin e qytetarëve dhe ekonomisë.
Rezervat e naftës ruhen në mënyrë të sigurt pranë shoqërive tregtare të autorizuara – depozitues, konkretisht në OKTA – Rafineria e Naftës, Makpetrol SHA Shkup, Lukoil Maqedoni DOOEL dhe Super Trejd DOOEL.
Këto kapacitete monitorohen dhe kontrollohen rregullisht nga organet kompetente shtetërore, me qëllim që të sigurohet mbrojtje e plotë, gjendje teknike e rregullt e depozitave dhe qasje në kohë ndaj rezervave në rast nevoje. Me këtë sistem mbikëqyrjeje dhe kontrolli garantohet siguria e rezervave shtetërore dhe stabiliteti i furnizimit.
Në rast se paraqitet ndonjë problem i mundshëm me importin për çfarëdo arsye – mbyllje kufijsh, ndërprerje, greva apo bllokada – shteti ka siguruar edhe një mekanizëm shtesë sigurie. Në funksion është produktsjellësi Selanik–Shkup, i cili përmes lidhjes me Selanikun siguron rrjedhë alternative dhe të pandërprerë të të gjitha llojeve të naftës dhe derivateve të saj, duke rritur ndjeshëm stabilitetin e sistemit dhe duke ulur varësinë nga korridore të tjera transporti.
Njëkohësisht, Agjencia monitoron vazhdimisht edhe konsumin ditor të derivateve të naftës, me qëllim që rezervat shtetërore të mirëmbahen në përputhje me nivelin e përcaktuar ligjërisht dhe nevojat reale të tregut.
Sistemi është vendosur në mënyrë parandaluese, me mbrojtje shumë-shtresore – përmes rezervave strategjike, korridoreve alternative të transportit dhe monitorimit të vazhdueshëm të konsumit – duke garantuar kështu siguri dhe stabilitet energjetik.
Edhe pse zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme mund të shkaktojnë çrregullime në furnizimin global me derivate të naftës, Republika e Maqedonisë së Veriut si shtet ka siguruar rrjedhë dhe import të qëndrueshëm të derivateve nga disa burime dhe vende të ndryshme. Ky diversifikim i furnizuesve, i kombinuar me rezervat strategjike shtetërore dhe funksionimin e produktsjellësit Selanik–Shkup, garanton funksionim të pandërprerë dhe stabil të tregut të derivateve të naftës.
Në këtë mënyrë garantohet që qytetarët dhe ekonomia të mos përballen me mungesa, ndërsa shteti mbetet plotësisht i gatshëm të reagojë në kohë nëse paraqitet çfarëdo ndërprerjeje në furnizim.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale