Ministrja e Energjisë Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot hapi ngjarjen “Dialogu i Lidershipit të Grave në Energjetikë”, kushtuar rolit të grave në sektorin energjetik dhe përfshirjes së tyre më të madhe në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe komuniteteve energjetike.
Në fjalimin e saj, ministrja Bozhinovska theksoi se tranzicioni energjetik është një proces që ndikon drejtpërdrejt te njerëzit, komunitetet dhe zhvillimi ekonomik, ndërsa roli i grave në këtë transformim është thelbësor.
,,Kur flasim për tranzicionin energjetik, nuk flasim vetëm për teknologji, megavat dhe investime. Flasim për njerëz, për komunitete dhe për mundësi. Pikërisht këtu, roli i grave është i pazëvendësueshëm”, theksoi Bozhinovska. Ajo theksoi se pavarësisht progresit, gratë ende janë të nënpërfaqësuara në sektorin energjetik, veçanërisht në pozita teknike dhe drejtuese, dhe se nevojiten hapa sistematikë për të ndryshuar këtë gjendje.
“Nëse duam më shumë gra në energjetikë, duhet të veprojmë në mënyrë sistematike – të inkurajojmë vajzat të zgjedhin profesione teknike dhe shkencore, të krijojmë programe mentorimi dhe zhvillimi profesional, si dhe të sigurojmë mundësi të drejta dhe transparente për përparim”, tha ministrja.
Në këtë ngjarje u prezantua edhe projekti rajonal “Women in Energy – WIN”, i cili synon forcimin e rolit të grave në energjetikë përmes trajnimeve, rrjetëzimit dhe ndërtimit të njohurive për mundësi të reja në sektor, duke përfshirë pjesëmarrjen në komunitete energjetike dhe zhvillimin e projekteve në burime të ripërtëritshme.
Në fjalimin e saj, ministrja Bozhinovska dërgoi gjithashtu një mesazh të fuqishëm për gratë e reja që të jenë të guximshme dhe të mos kenë frikë të hyjnë në fusha që tradicionalisht janë konsideruar si mashkullore.
“Energjetika ka nevojë për kreativitetin tuaj, vizionin tuaj dhe guximin tuaj. Ju jeni inxhiniere, eksperte, sipërmarrëse dhe lidere të së ardhmes. Koha juaj fillon pikërisht tani”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar për krijimin e kushteve për një përfshirje më të madhe në sektor, duke mbështetur iniciativa që inkurajojnë gratë të marrin pjesë aktive në tranzicionin energjetik dhe në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale