Efikasiteti i energjisë duhet të fillojë nga themeli – nga shkollat tona, ku ne edukojmë qytetarët dhe profesionistët e ardhshëm. Në shkollën fillore Naum Naumovski Borçe në Magjari, në prani të ministres së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska dhe kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi dhe donacion për pajisje të mençura për monitorimin dhe menaxhimin e konsumit të energjisë elektrike. Memorandumi u nënshkrua nga drejtoresha e shkollës, Elizabeta Temelkovska, dhe përfaqësuesja e Bankës Shparkase, Zlatica Civkarovski.
Me këtë memorandum fillon procesi i instalimit të zgjidhjes së avancuar Smart Energy Metering and Management (SEMM) në shkollën Naum Naumovski Borçe, duke iu bashkuar kështu rrjetit të institucioneve publike që po zbatojnë monitorimin dhe menaxhimin e mençur të konsumit të energjisë elektrike.
Përmes këtyre hapave konkretë, ne përcjellim mesazhin se çdo institucion, madje edhe çdo individ, ka një rol për të luajtur në menaxhimin e qëndrueshëm të energjisë. Në të njëjtën kohë, me projekte të tilla ne u mësojmë gjeneratave të reja ndërgjegjësimin, përgjegjësinë dhe përdorimin racional të energjisë – vlera që janë thelbësore për të ardhmen që po ndërtojmë së bashku", theksoi ministrja Bozhinovska.
Sisteme të tilla tashmë janë instaluar në katër shkolla fillore në Shkup:
· "Mirçe Acev" – Komuna e Gjorce Petrovit,
· "Ismail Qemali" – Komuna e Qairit,
· "Kiril Pejçinoviq" – Komuna e Kisela Vodës,
· "Lazo Angelovski" – Komuna e Aerodromit.
Ministrja Bozhinovska theksoi se ky është hapi i parë drejt futjes sistematike të zgjidhjeve digjitale të efiçiencës së energjisë në sektorin publik, veçanërisht në arsim.
"Shpresojmë që gjithnjë e më shumë kompani të ndjekin shembullin dhe të angazhohen në zgjidhje që do t'i ndihmojnë këto institucione të menaxhojnë konsumin dhe shpenzimet e energjisë elektrike në mënyrë më të lehtë dhe efikase", theksoi Bozhinovska.
Ajo shtoi se kompanitë duhet të jenë jo vetëm teknologjikisht inovative, por edhe shoqërisht të përgjegjshme dhe se mbështetja e sektorit privat për shkollat dhe spitalet është thelbësore përballë sfidave globale të energjisë.
Shkolla shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe partneritetin, duke theksuar se iniciativa të tilla janë të rëndësishme jo vetëm për kursimin e energjisë, por edhe për edukimin e nxënësve në frymën e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe mjedisit.
Në kuadër të vizitës, ministrja Bozhinovska, kryetari Stefkovski dhe përfaqësues të Bankës Shparkase biseduan me mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët prezantuan vizionin e tyre për "shkollën e gjelbër të së ardhmes" dhe aktivitetet që po zbatojnë tashmë në drejtim të ndërgjegjësimit për energjinë dhe mjedisin.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale