Në Pragë u mbajt Takimi i Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Çeke, ku u dakorduan hapa për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në disa sektorë.
Delegacioni maqedonas u kryesua nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, e cila është e përkushtuar në forcimin e lidhjeve ekonomike me Republikën Çeke dhe ka iniciuar hapa konkretë për tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, z. Aleksandar Nikolovski, si dhe përfaqësues nga disa ministri relevante, zhvilluan takime pune me homologët e tyre çekë. U diskutua për bashkëpunim në fushat e energjisë, transportit, punëve të brendshme dhe të jashtme, kulturës, mbrojtjes së mjedisit, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë me interes të përbashkët.
Ministrja Bozhinovska, në fjalimin e saj para delegacioneve, theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të mbështetur investitorët çekë në realizimin e planeve të tyre afariste dhe për të ofruar një ambient stabil dhe të parashikueshëm për investime me kushte të favorshme.
“Maqedonia është e hapur për partneritete strategjike me kompanitë çeke, veçanërisht në energjetikë, infrastrukturë dhe prodhim industrial.
Ne e shohim Republikën Çeke si një partner strategjik në fushën e energjisë dhe industrisë. Vendi ynë ofron një ambient të qëndrueshëm për investime dhe rregullore të qarta për mbrojtjen e bizneseve. Në të njëjtën kohë, po intensifikojmë reformat në sektorin e energjisë për të siguruar një ekonomi moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese,” deklaroi Bozhinovska.
“Përmes takimeve të drejtpërdrejta me institucionet dhe kompanitë çeke, po hapim mundësi të reja për investime dhe partneritete. Jam i bindur se ky bashkëpunim do të rezultojë me projekte konkrete. Maqedonia dhe Çekia kanë një traditë të gjatë bashkëpunimi, ndërsa vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore do të lehtësojë shkëmbimet ekonomike dhe turistike midis dy vendeve. Presim që kjo iniciativë së shpejti të bëhet realitet,” deklaroi zëvendëskryeministri Nikolovski.
Përveç takimeve zyrtare, përfaqësues nga ministri dhe institucione të ndryshme realizuan vizita në terren në fushat përkatëse. Pjesë e delegacionit maqedonas ishin edhe përfaqësues të Elektranat e Maqedonisë (ESM), Festivalit “Vera e Ohrit” dhe Ministrisë së Kulturës, të cilët diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e energjisë, shkëmbimeve kulturore dhe projekteve infrastrukturore.
Në kuadër të vizitës, Bozhinovska zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me zëvendësministrin çek për industri dhe tregti, Jan Kavalírek, ku u diskutuan mundësi konkrete për shkëmbim përvojash dhe ndihmë eksperte.
Vizita zyrtare në Çeki u përmbyll me nënshkrimin e protokollit nga sesioni i tretë i komitetit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë, me qëllim nxitjen e projekteve konkrete, thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe realizimin e iniciativave të përbashkëta.
Me respekt,
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale