Sot, në Qeveri u mbajt një takim koordinativ me përfaqësues të Aleancës për Tregun e Posaçëm të Të Dhënave, një iniciativë që bashkon institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare dhe kompani teknologjike për krijimin e infrastrukturës digjitale për shkëmbimin e të dhënave dhe mbështetje për kalimin në energjinë e pastër. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të Aleancës, si dhe përfaqësues të Fondacionit HBAR, të cilët shprehën qëllimin për mbështetje në financimin e projekteve të këtij lloji, si dhe përfaqësues të Reaktiv, për sigurimin e kontekstit lokal dhe mbështetje për implementimin e Iniciativës.
Në takim u paraqitën iniciativat kyçe të Aleancës, përfshirë zgjidhje për raportimin, infrastrukturën digjitale për tregtimin e emisioneve dhe mundësitë për investime në teknologji të gjelbra. U diskutua mbi mundësitë që ofron kjo iniciativë në kontekstin e transformimit digjital, shkëmbimit të të dhënave dhe mbështetjes për kalimin në energjinë e pastër.
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, theksoi se Qeveria është e angazhuar për avancimin e transformimit digjital dhe energjetik përmes partneriteteve me organizata ndërkombëtare dhe kompani teknologjike.
“Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut po implementon aktivisht Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit për periudhën 2024–2044. Në kuadër të kësaj strategjie, energjia është një segment kyç, jo vetëm për stabilitetin ekonomik, por edhe në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe kalimit në energjinë e pastër. Jemi të kënaqur që po presim këtë grup ekspertësh dhe profesionistësh të cilët po bashkojnë forcat për transformimin digjital dhe të gjelbër të ekonomisë tonë. Ekspertë të njohur, duke përdorur zgjidhje digjitale me sukses të provuar. Më e rëndësishmja, kjo ofron mundësinë për ta udhëhequr këtë iniciativë dhe për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut si një lider rajonal në qëndrueshmëri dhe inovacione digjitale, duke nxitur njëkohësisht qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe përparimin mjedisor,” tha Janushev.
“Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar për transformimin digjital dhe agjendën e gjelbër, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në kalimin në një ekonomi me karbon të neutralizuar. Qeveria është duke punuar aktivisht për përputhjen me rregulloret evropiane si CBAM (Mekanizmi për Rregullimin e Kufijve të Karbonit) dhe CSRD (Direktiva për Raportimin e Qëndrueshmërisë të Korporatave), të cilat do të kenë ndikim të rëndësishëm tek kompanitë maqedonase, sidomos në sektorët industrialë që eksportojnë në BE. Kjo do të kontribuojë në stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm,” tha ministrja Bozhinovska.
Gjatë diskutimit, u identifikuan mundësi për bashkëpunim në tregtimin e emisioneve, investimet në teknologji të gjelbra dhe zhvillimin e mjeteve digjitale që do të lehtësojnë proceset e përputhjes me kërkesat evropiane. Përfaqësuesit e Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë ndanë mendime për bashkëpunimin e mëtejshëm në këto fusha dhe diskutimet do të vazhdojnë për të përcaktuar hapa konkretë për iniciativat e përbashkëta.
Ky takim paraqet një hap përpara në përpjekjet e Maqedonisë për përmirësimin e konkurrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm përmes transformimit digjital dhe ekologjik.