Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, u prit në Baku nga homologu i saj, ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, në kuadër të një vizite zyrtare të dedikuar për përmirësimin e bashkëpunimit energjetik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit tet-a-tet që u mbajt në Ministrinë e Energjisë së Azerbajxhanit, u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e partneritetit në fushën e furnizimit me gaz. Bisedimet u përqendruan në mundësitë për marrëveshje afatgjata për furnizim me gaz, si dhe në investime potenciale në infrastrukturën e gazit në Maqedoni.
"Maqedonia mund të bëhet një qendër rajonale për transportin e gazit. Jemi të gatshëm të përfshihemi menjëherë në bashkëpunim për projekte konkrete dhe të ofrojmë si ekspertizë, ashtu edhe mundësi serioze për projekte të përbashkëta, nëse ka interes nga ana juaj," theksoi ministri Shahbazov.
"Bisedimet për forcimin e partneritetit tonë energjetik hapën perspektiva të reja për Maqedoninë! U fokusuam në hapa konkretë për krijimin e kushteve për furnizim me gaz dhe mundësi për investime në modernizimin e infrastrukturës sonë energjetike," theksoi Bozhinovska.
U vu theks i veçantë në bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet kompanisë shtetërore energjetike ESM (Termocentralet e Maqedonisë së Veriut) dhe kompanisë shtetërore të naftës së Azerbajxhanit, SOCAR. Partneriteti ndërmjet ESM dhe SOCAR është kyç për transformimin tonë energjetik. Në këtë drejtim, u ra dakord për një takim për intensifikimin e aktiviteteve në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar gjatë samitit COP29 në Baku.
Shahbazov gjithashtu i bëri një ftesë direkte ministres Bozhinovska për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm ministror të Këshillit Këshillues për Korridorin Jugor të Gazit si dhe në takimin e tretë ministror të Këshillit për Energjinë e Gjelbër.
Ministrja Bozhinovska theksoi gatishmërinë e Maqedonisë për bashkëpunim aktiv në disa projekte që do të sigurojnë siguri, qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike për vendin, duke theksuar se ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt realizimit të atyre objektivave.
"Azerbajxhani na ofron bashkëpunim konkret që do të na ndihmojë të pozicionohemi si një qendër serioze rajonale për transportin e gazit. Kjo ka rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit tonë dhe do të sjellë përfitime si për ekonominë, ashtu edhe për qytetarët. Do të punojmë seriozisht për këtë dhe shpresojmë në mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë," theksoi Bozhinovska.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Azerbajxhan, delegacioni maqedonas i udhëhequr nga presidentja Siljanovska-Davkova zhvilloi gjithashtu një takim pune me kryeministrin e Azerbajxhanit, Ali Asadov, dhe me kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Republikës së Azerbajxhanit, E.S. znj. Sahiba Gafarova.
Ky takim, i cili u mbajt me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona, iu kushtua forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit energjetik.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se dy vendet tona kanë potencial për bashkëpunim më të madh ekonomik, veçanërisht në sektorin energjetik, dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur nismat që do të dalin nga ky takim.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale