Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbështet iniciativën për Financim të Gjelbër.
Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt Komiteti i tretë drejtues i Green Finance Facility, pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, një mekanizëm financiar revolucionar që mundëson qasje në financim të volitshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe amvisëritë në Maqedoninë e Veriut.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, si anëtare aktive dhe mbështetëse e kësaj iniciative, është e përkushtuar të nxisë investimet në burime të ripërtëritshme dhe efikasitet energjetik, me qëllim përshpejtimin e tranzicionit drejt zgjidhjeve të gjelbra, uljen e konsumit të energjisë, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Aktivitetet kryesore të programit përfshijnë ofrimin e kredive të volitshme përmes institucioneve financiare vendore për amvisëri dhe kompani që duan të investojnë në efikasitet energjetik dhe burime të ripërtëritshme.
Programi përfshin ndihmë teknike dhe grante të bazuara në performancë (PBG), të cilat do të mbulojnë deri në 30% të shumës së kredisë për amvisëritë dhe deri në 10% për kompanitë, varësisht nga lloji i investimit.
Rezultatet e pritura në vitet në vijim:
– Deri në 105 biznese do të përfitojnë financim të gjelbër dhe ndihmë teknike
– Deri në 650 amvisëri do të sigurojnë financim për investime në energji të ripërtëritshme
– Prodhimi i energjisë së ripërtëritshme në vend do të rritet me 10.7 MW
– Do të shmangen 80,000 ton emetime të gazeve serrë dhe do të kursehen 86,000 MWh energji
Ministria mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim ekonomik të gjelbër, duke mbështetur iniciativa si Green Finance Facility.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale