Ministrja për Energjitikë, Miniera dhe Minerale, Sanja Bozhinovska, vizitoi minierën SASA, minierën më të madhe nëntokësore për plumb dhe zink në Maqedoninë e Veriut, e cila prodhon rreth 800.000 ton minerale çdo vit. Gjatë takimit me ekipin menaxhues të SASA-s, Ministrja Bozhinovska u njoftua me funksionimin e minierës, investimet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe kontributin e saj për prosperitetin e komunitetit lokal.
"SASA është një pjesë e rëndësishme e strukturës ekonomike të vendit tonë. Mbështetja për këto projekte është jetike për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin lokal. Si ministre, qëllimi im është të mbështes praktikat e minierave që janë të qëndrueshme dhe të sigurta dhe të theksoj rëndësinë e inovacioneve në miniera. Duke mbështetur teknologjitë moderne, synojmë të krijojmë një minierë që është e sigurt dhe e qëndrueshme," theksoi Bozhinovska.
SASA punëson drejtpërdrejt rreth 770 persona, shumica e të cilëve janë banorë të komunitetit lokal. Gjatë gjashtë viteve të fundit, miniera ka paguar më shumë se 85 milionë dollarë taksa, të cilat janë përdorur për të mbështetur zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së njerëzve.
Christopher Colburn, Drejtori i Përgjithshëm i SASA-s, theksoi se janë investuar mbi 80 milionë dollarë në projekte kapitale, pajisje moderne minerare, dixhitalizim, përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të punës në minierë si pjesë e Central Asia Metals, një kompani ndërkombëtare minerare.
"Kjo vizitë e Ministres Bozhinovska, e cila drejton një sektor kaq të rëndësishëm, ka një kuptim të veçantë për ne në SASA. Ajo është pjesë e komunikimit dhe bashkëpunimit tonë me institucionet në nivelin qendror dhe lokal, i cili është i nevojshëm për suksesin e mëtejshëm të SASA-s. Qëllimi ynë është të realizojmë planet dhe projektet tona të investimeve për një funksionim të sigurt, përgjegjës ndaj mjedisit dhe të qëndrueshëm në SASA, duke siguruar mirëqenien e punonjësve tanë dhe familjeve të tyre, duke mbështetur komunitetin lokal dhe duke kontribuar në prosperitetin e përgjithshëm të vendit," tha Colburn.
Gjatë vizitës, ministrja gjithashtu vizitoi korridoret nënterrenale të minierës, ku diskutoi me minatorët për përvojat dhe sfidat e tyre. Punonjësit theksuan se siguria në terren është prioritet dhe se ata po punojnë vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të punës.
"Minatorët janë zemra e kësaj minierë. Siguria e tyre dhe kënaqësia nga puna janë të domosdoshme për funksionimin e suksesshëm të SASA-s," tha ministrja.
Bozhinovska vizitoi gjithashtu impiantet e reja që janë pjesë e projekteve investuese të fokusuar në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit. Këto përfshijnë impiantin e përgatitjes së pastës për mbushje, i cili do të maksimizojë nxjerrjen e burimeve duke reduktuar nevojën për lënien e mineraleve në vend. Me ndërtimin e një impianti përgatitës për depozitimin e mbeturinave për hedhje të thatë, do të zvogëlohet gjurmë ekologjike, duke eliminuar nevojën për ndërtimin e një liqeni tjetër për depozitimin e mbeturinave gjatë periudhës së mbetur të jetës së minierës.
Vizita në SASA është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të Ministres Bozhinovska për komunikim direkt dhe vizita të rregullta në të gjitha kapacitetet nën juridiksionin e ministrisë.