Qeveria miratoi Planin e integruar kombëtar për energji dhe klimë 2025–2030 – një dokument strategjik që e vendos shtetin në një rrugë të qartë drejt transformimit energjetik, zhvillimit të qëndrueshëm dhe harmonizimit të plotë me politikat evropiane.
Plani, i hartuar me propozim të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, paraqet një instrument kyç për modernizimin e sektorit energjetik dhe përmbushjen e obligimeve nga Komuniteti i energjisë dhe rregullativa evropiane.
Me gjithsej 61 masa konkrete, Plani përfshin:
· 26 masa për dekarbonizim,
· 20 për efikasitet energjetik,
· 3 për siguri energjetike,
· 11 për tregun e brendshëm të energjisë dhe
· 1 për kërkime, inovacione dhe konkurrueshmëri.
Fokusi është i qartë – ulja e emetimeve të gazeve serrë, rritja e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe përmirësimi i ndjeshëm i efikasitetit të energjisë.
Në periudhën e ardhshme, shteti do të ndërmarrë hapa konkretë për: rritjen e investimeve në energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjinë, vendosjen e një sistemi për çmimin e karbonit në përputhje me standardet evropiane, zhvillimin e magazinimit të energjisë dhe infrastrukturës moderne energjetike, si dhe braktisjen graduale të qymyrit si burim energjie.
Paralelisht, forcohet siguria energjetike përmes diversifikimit të burimeve, bashkëpunimit rajonal dhe interkoneksioneve të reja, si dhe liberalizimit të mëtejshëm dhe integrimit të tregut të energjisë elektrike.
Plani është rezultat i një procesi të gjerë dhe transparent në të cilin morën pjesë institucione, ekspertë, komuniteti akademik, sektori privat dhe partnerë ndërkombëtarë. Në përgatitjen e tij janë përfshirë edhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe politikat më të fundit evropiane.
Për dokumentin është realizuar edhe një Vlerësim strategjik i ndikimit në mjedis, i cili analizon efektet mbi ajrin, ujërat, tokën, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe shëndetin e qytetarëve. Raporti është pranuar nga institucionet kompetente, pas zhvillimit të debateve publike dhe konsultimeve, përfshirë edhe me shtetet fqinje.
Me zbatimin e Planit pritet përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së mjedisit jetësor, stabilitet dhe pavarësi më e madhe energjetike, një cikël i ri investimesh në energjetikë, tranzicion i përshpejtuar i gjelbër dhe zhvillim ekonomik.
Ky dokument është një vizion i qartë për të ardhmen energjetike të shtetit, ku qëndrueshmëria, inovacionet dhe standardet evropiane bëhen realitet.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale