Me iniciativë të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, në vitin 2025 në vendin tonë do të mbahet Forumi i 14-të Ndërkombëtar për Energji për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Iniciativa erdhi nga Ministrja e Energjisë, znj. Sanja Bozhinovska, e cila i është drejtuar UNECE (Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropë). Kjo është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi për vendin—veçanërisht për Ministrinë e Energjisë. Me organizimin e një forumi kaq të rëndësishëm, Maqedonia e Veriut do të pozicionohet si lider rajonal në tranzicionin e gjelbër, duke treguar përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të energjisë.
Vendimi u mor pas përfundimit të Forumit të 13-të që u mbajt në fillim të dhjetorit në Bangkok, Tajlandë, në organizim të pesë komisioneve rajonale të OKB-së (ECA, ECE, ECLAC, ESCAP dhe ESCWA). Tema e këtij viti ishte "Tranzicioni i Drejtë Energjetik".
Në Forum do të marrin pjesë ekspertë të sektorit të energjisë, përfaqësues të qeverive, entitete të OKB-së, organizata ndërkombëtare, komuniteti i biznesit dhe palë të tjera të interesuara, të cilët do të diskutojnë për çështjet kryesore dhe do të paraqesin aktivitete për tranzicion të drejtë energjetik.
Tranzicioni energjetik, në kontekstin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, është transformimi kyç për arritjen e shumë Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm. Duke pasur parasysh që sektori i energjisë është përgjegjës për më shumë se dy të tretat e emetimeve të gazeve serrë, tranzicioni i qëndrueshëm energjetik është vendimtar për realizimin e Marrëveshjes së Parisit. Kërkohen përpjekje të përbashkëta nga të gjitha nivelet e palëve të interesuara për të përshpejtuar këtë tranzicion dhe për të arritur objektivat e lidhura me këtë çështje. Rekomandimet nga Konferenca për Ndryshimet Klimatike COP29 e mbajtur në Baku do të shërbejnë gjithashtu si bazë për forumin e ardhshëm.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do ta organizojë ngjarjen në bashkëpunim me UNDP-në dhe në koordinim me agjencitë përkatëse rajonale të Kombeve të Bashkuara.