Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Administrata Doganore nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Administrata Doganore nënshkruan zyrtarisht një Memorandum Bashkëpunimi, duke forcuar koordinimin dhe shkëmbimin e të dhënave mbi procedurat e eksportit dhe importit të burimeve minerale, derivateve të naftës, biomasës dhe energjive të tjera. Ky bashkëpunim do të mundësojë kontroll më të mirë dhe monitorim më efikas të transportit të këtyre burimeve, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Memorandumi u nënshkrua nga Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe Drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikolovski. Dokumenti parashikon shkëmbim të rregullt të të dhënave çdo tre muaj, si dhe komunikim sipas nevojës për të garantuar informim të shpejtë mbi procedurat e eksportit dhe importit dhe mbi çdo parregullsi të mundshme.
"Me këtë Memorandum forcojmë kapacitetin institucional për mbikëqyrje dhe kontroll në sektorin e energjisë dhe minierave. Transparenca në procedurat e eksportit dhe importit është thelbësore për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë ligjore, dhe ky partneritet me Administratën Doganore na mundëson më shumë efikasitet dhe koordinim," deklaroi Ministrja Bozhinovska.
Me mekanizmin e ri për monitorim dhe shkëmbim të të dhënave, pritet të forcohen kontrollet ndaj koncesionarëve dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet energjetik, si dhe të parandalohet mundësia e aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë. Gjithashtu, do të vendoset një sistem i përhershëm i raportimit midis dy institucioneve, për të siguruar respektimin e procedurave dhe rregulloreve ligjore.
"Shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi i forcuar janë kyçe në luftën për të zhdukur plotësisht krimin, për të mbrojtur më mirë shoqërinë dhe për të rritur mbledhjen e të ardhurave për Buxhetin. Në këtë mënyrë, ne aplikojmë një qasje gjithëpërfshirëse për të parandaluar çdo përpjekje për krim gjatë importit dhe eksportit të burimeve energjetike dhe minerale," tha drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikolovski.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e kuadrit rregullator në sektorin e energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për më shumë transparencë dhe përgjegjësi.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale