Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale dhe Fakulteti i shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike (FSHIIK) nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi që do të mundësojë përfshirjen e studentëve të FSHIIK në mësim praktik në Ministri, si dhe bashkëpunim më të gjerë në fushën e digjitalizimit dhe inovacionit në energji në sektorin publik.
Me këtë hap, Ministria si institucion përgjegjës për sektorin e energjisë krijon bashkëpunim formal me komunitetin akademik në drejtim të aplikimit të teknologjive të informacionit dhe prezantimit të zgjidhjeve moderne digjitale. Studentët do të kenë mundësinë të punojnë në projekte reale brenda Ministrisë, të angazhohen në analiza, zhvillim të mjeteve digjitale, si dhe të kontribuojnë në automatizimin e një pjese të proceseve administrative.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se bashkëpunimi me FSHIIK ka potencial të bëhet shembull i lidhjes së mençur të institucioneve me ekspertë dhe talentë të rinj.
"Ky është një bashkëpunim nga i cili përfitojnë të gjithë – studentët kanë mundësi për punë praktike dhe përvojë në institucione, Ministria merr ide të reja dhe mbështetje teknologjike, qytetarët marrin shërbime më efikase. Prandaj, besoj se ky është fillimi i diçkaje shumë më të madhe – një transformim teknologjik afatgjatë të sektorit të energjisë, veçanërisht në sektorin publik, për të cilin të rinjtë do të jenë nxitës kryesorë", deklaroi Bozhinovska.
FSHIIK thekson rëndësinë e lidhjes së kapaciteteve akademike me nevojat reale të institucioneve publike. Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Boro Jakimovski, shprehu besimin se studentët kanë shumë për të ofruar në proceset e transformimit digjital.
"Studentët tanë nuk janë të trajnuar vetëm për të programuar – ata dinë të mendojnë në mënyrë kritike, të zgjidhin probleme komplekse dhe të krijojnë zgjidhje softuerike për sfidat reale. Ne besojmë se ata do të japin një kontribut të rëndësishëm në avancimin e punës së Ministrisë", tha Jakimovski.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe zëvensësdekani për çështje mësimore Riste Stojanov, si dhe inxhinieri i sistemit Vladislav Bidikov, të cilët janë pjesë e ekipit që do të mbështesë zbatimin e mësimit praktik dhe koordinimit teknik me institucionet.
Memorandumi parasheh gjithashtu aktivitete të përbashkëta në formën e kërkimit, trajnimit për punonjësit e Ministrisë dhe krijimit të zgjidhjeve inovative digjitale. Paralelisht, një pjesë e aktiviteteve do të synojnë zhvillimin e mjeteve për efikasitet më të mirë të energjisë, transparencë dhe analizë, si pjesë e angazhimit të Ministrisë për institucione të hapura.
Me respekt,
Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale