Studentët nga Fakulteti i inxhinierisë elektrike dhe teknologjive të informacionit (FEIT) kanë filluar praktikën studentore në Ministrinë e Energjetikës minierave dhe burimeve minerale. Ata tashmë janë ndarë në sektorë dhe kanë filluar punën praktike brenda Ministrisë dhe organeve të saj.
Ministrja Sanja Bozhinovska sot vizitoi praktikuesit e rinj në pozicionet e tyre, gjatë së cilës u njoh personalisht me angazhimet e tyre, detyrat që u janë caktuar dhe fushat në të cilat janë të përfshirë.
"Është krenari të shohësh energjinë dhe motivimin që këta të rinj sjellin me vete. Që nga dita e parë, ata nuk janë aty vetëm si vëzhgues – ata janë të përfshirë në mënyrë aktive në procese konkrete, duke përgatitur materiale, duke hulumtuar dhe diskutuar. Kjo është gjenerata e re që ne duam ta mbajmë në vend dhe t'i japim mundësinë të zhvillohet këtu – në institucionet ku ndërtohen politikat publike", theksoi ministrja Bozhinovska.
Duke folur para studentëve, ministrja dha një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi: "Ne kemi nevojë për njerëz që kuptojnë teknologjinë, energjinë dhe sfidat moderne. Por edhe më shumë se kaq, ne kemi nevojë për njerëz që duan të bëjnë një ndryshim. Ju nuk jeni këtu vetëm për të mësuar, por edhe për të sjellë një perspektivë të re. Ne do t'ju mbështesim në çdo hap të rrugës."
Studentët shpërndahen sipas ekspertizës së tyre në departamentet për energjetikë, burime të rinovueshme, efikasitet energjetik, burimeve minerale, planifikimit strategjik dhe digjitalizimit. Me ta punojnë mentorë nga radhët e administratës, në mënyrë që të fitojnë një pasqyrë reale të funksionimit të institucionit dhe një rol aktiv në detyrat e vazhdueshme.
Programi realizohet në bazë të Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe FEIT-it, si pjesë e angazhimit për të mbështetur inxhinierët e rinj dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin e politikave energjetike. Ministria njofton vazhdimin dhe zgjerimin e këtij programi në të ardhmen, me qëllim krijimin e vazhdimësisë në ndërtimin e stafit ekspert të brendshëm dhe sigurimin e brezave të ekspertëve të gatshëm për të udhëhequr tranzicionin energjetik.
Me respekt,
Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale