Ministrja Bozhinovska në Baku: Mundësi për Maqedoninë e Veriut për të siguruar investime të reja të gjelbra

Ministrja Bozhinovska në Baku: Mundësi për Maqedoninë e Veriut për të siguruar investime të reja të gjelbra

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, si pjesë e delegacionit të lartë shtetëror të udhëhequr nga Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, po merr pjesë në COP29 – Konferencën e 29-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Baku, Azerbajxhan. Në delegacion është edhe Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mejiti.

 

COP29 është një ngjarje globale që bashkon liderë botërorë dhe ekspertë nga mbi 70 shtete. Tema e këtij samiti është "Investimi në një të ardhme të qëndrueshme," me fokus në transformimin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit përmes inovacioneve dhe teknologjive të reja. Ky samit, i cili mbahet çdo vit, është një platformë kyçe për vendet që të koordinojnë përpjekjet për reduktimin e emisioneve dhe promovimin e burimeve të rinovueshme.

 

Ministrja Bozhinovska theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë samit, i cili paraqet mundësinë për Maqedoninë e Veriut për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare dhe për të siguruar investime të reja në burime të rinovueshme dhe infrastrukturë energjetike të qëndrueshme, duke kontribuar në arritjen e objektivave afatgjata klimatike dhe zhvillimin ekonomik.

 

"Ngjarje të tilla na mundësojnë shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me komunitetin global dhe ofrojnë mundësinë për të krijuar bashkëpunime që do të kontribuojnë në kalimin tonë në energji të gjelbër," tha Bozhinovska.

 

Delegacioni maqedonas do të punojë aktivisht për krijimin e partneriteteve dhe mundësive për investime që do të mundësojnë projekte inovative në vend, me qëllim përmirësimin e pavarësisë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Accessibility Menu