Pas hapit të rëndësishëm që ndërmori Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale me vendosjen e mbrojtjes institucionale të rubinit maqedonas si një pasuri minerare autentike e Maqedonisë, tani fillon një fazë e re – promovimi i tij, së bashku me të gjithë trashëgiminë gjeologjike të shtetit.
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, dhe kryetari i Shoqatës për Promovimin e Shkencave Natyrore „Otkritie“, Ilija Petkovski, nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin bashkojnë kapacitetet institucionale, shkencore dhe profesionale për promovimin, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë gjeologjike, pasurisë minerare dhe trashëgimisë paleontologjike.
Memorandumi përfaqëson vazhdimin e angazhimeve të Ministrisë për afirmimin, mbrojtjen, vlerësimin dhe promovimin e pasurisë minerare të Maqedonisë. Pas vendosjes së mbrojtjes ligjore të rubinit maqedonas, hapi i radhës është prezantimi i tij më i gjerë para publikut vendas dhe ndërkombëtar, si një nga simbolet më të njohura të trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë.
„Maqedonia zotëron një trashëgimi gjeologjike jashtëzakonisht të pasur, e cila për dekada me radhë ka qenë e promovuar në mënyrë të pamjaftueshme. Është një pasuri që meriton shumë më tepër dukshmëri. Qëllimi ynë është ta bëjmë atë të qasshme për publikun, të zhvillojmë ndërgjegjësimin shkencor, ta afrojmë gjeologjinë te qytetarët, të nxisim interesimin e të rinjve për shkencat natyrore, të zhvillojmë gjeoturizmin dhe të tregojmë se pasuritë natyrore janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe e potencialit tonë zhvillimor. Rubini maqedonas është një nga këto simbole më të çmuara dhe meriton të prezantohet me dinjitet para botës”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Me Memorandumin vendoset një bashkëpunim afatgjatë, i cili parashikon organizimin e ekspozitave, ngjarjeve shkencore-popullarizuese, ligjëratave publike, punëtorive, programeve edukative dhe ekspozitave tematike, si dhe krijimin e partneriteteve dhe bashkëpunimit me muze, universitete dhe institucione shkencore vendase dhe të huaja për promovimin e trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe Dean Shkartov, një nga promovuesit dhe njohësit më të mëdhenj të rubinit maqedonas, anëtar dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i Shoqatës „Otkritie“, koleksioni i pasur mineralogjik i të cilit përbën një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e trashëgimisë gjeologjike të Maqedonisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.
Si rezultat i këtij partneriteti, në ambientet e Ministrisë do të themelohet një Qendër për Promovimin e Trashëgimisë Gjeologjike, e cila do të shndërrohet në një hapësirë të përhershme ekspozuese dhe edukative për prezantimin e mineraleve, kristaleve, fosileve dhe eksponateve të tjera gjeologjike. Qendra do të jetë një vend ku institucionet, komuniteti shkencor dhe ekspertët do të punojnë së bashku për mbrojtjen, vlerësimin dhe promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë, zhvillimin e gjeoturizmit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për pasuritë natyrore që zotëron Maqedonia.
Me këtë iniciativë, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale konfirmon edhe një herë se burimet natyrore nuk janë vetëm një potencial ekonomik, por edhe një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet, të vlerësohet në mënyrë shkencore dhe të prezantohet me dinjitet para brezave të ardhshëm dhe para botës.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale