Është hartuar Studimi i parë Kombëtar për Hidrogjenin – shteti pozicionohet në rrjetin e ardhshëm evropian të hidrogjenit

Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para

Me mbështetje teknike nga Bashkimi Evropian, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale ka përfunduar me sukses Studimin e parë gjithëpërfshirës për Hidrogjenin në Maqedoni – një dokument strategjik që hap rrugën drejt ekonomisë së ardhshme të hidrogjenit dhe e pozicionon shtetin si pjesë të së ardhmes energjetike evropiane.

Studimi është hartuar me ndihmë teknike të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA II, në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Instrumentit për Projektet e Infrastrukturës 10 (IPF10), si pjesë e projektit për ndërlidhjen e gazit natyror ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Ky është dokumenti i parë kombëtar që analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse mundësitë për prodhimin, transportin, ruajtjen dhe përdorimin e hidrogjenit të gjelbër, si një nga energjentët kryesorë të së ardhmes, në sektorët e energjetikës, industrisë, transportit dhe sistemeve të ngrohjes qendrore.

Studimi konfirmon se Maqedonia ka potencial real për të zhvilluar gradualisht një ekonomi të hidrogjenit dhe për t'u bërë pjesë aktive e infrastrukturës së ardhshme evropiane të hidrogjenit. Në dokument theksohet se shteti, së bashku me Serbinë dhe Greqinë, ka një pozitë strategjike në kuadër të Rrjetit Panevropian të Hidrogjenit dhe European Hydrogen Backbone, rrjeti i ardhshëm evropian për transportin ndërkufitar të hidrogjenit të pastër.

Veçanërisht e rëndësishme është se interkoneksioni i ri i gazit me Greqinë, ndërtimi i të cilit është në zhvillim, është projektuar për transportin e 100% hidrogjenit. Gjithashtu, sipas dokumentacionit të tenderit për përzgjedhjen e projektuesit dhe zbatuesit të interkoneksionit të ardhshëm të gazit me Serbinë, është paraparë që edhe ai të jetë plotësisht i përgatitur për transportin e 100% hidrogjenit. Në këtë mënyrë, të dy interkoneksionet do të përbëjnë segmente kyçe të shtyllës kombëtare të ardhshme të hidrogjenit dhe do të kontribuojnë në integrimin rajonal në tregun evropian të hidrogjenit..

Me hartimin e këtij studimi, Maqedonia renditet ndër vendet e pakta në rajon që tashmë disponojnë një dokument strategjik për zhvillimin e sektorit të hidrogjenit, gjë që përbën një përparësi të rëndësishme në procesin e tranzicionit energjetik dhe harmonizimit me politikat evropiane.

Dokumenti përmban skenarë konkretë për zhvillimin e hidrogjenit deri në vitin 2050, me analiza për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, zhvillimin e korridoreve të hidrogjenit, përdorimin e tij në industri dhe transport, si dhe mundësitë për uljen e ndjeshme të emetimeve të gazeve serrë.

Hartimi i Studimit për Hidrogjenin përbën edhe një dëshmi të përkushtimit të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale për përshpejtimin e tranzicionit energjetik, dekarbonizimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një sistemi energjetik modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Maqedonia vazhdon në mënyrë aktive t’i harmonizojë politikat e saj energjetike me rregulloret evropiane dhe iniciativat strategjike, me qëllim sigurimin e një sigurie më të madhe energjetike, investimeve të reja dhe zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.

Studimi për Hidrogjenin nuk është vetëm një analizë e mundësive të ardhshme – ai është një udhërrëfyes për epokën e re energjetike, në të cilën Maqedonia po pozicionohet me kohë si partner në rrjetin evropian të hidrogjenit dhe si pjesëmarrëse në krijimin e një ekonomie të pastër me emetime të ulëta të karbonit.

 

Me respekt,

Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale

Accessibility Menu