Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me drejtoreshën e Bankës Zhvillimore, Efimija Dimovska, i cili iu kushtua aktiviteteve përfundimtare për operacionalizimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë – një nga mekanizmat më të rëndësishëm për financimin e investimeve në efiçiencën energjetike në vend.
Në takim u shqyrtuan hapat e ardhshëm për krijimin e Fondit, përgatitja e dokumentacionit kyç, si dhe koordinimi ndërinstitucional i nevojshëm për vënien e tij të plotë në funksion. Një theks i veçantë iu kushtua krijimit të një sistemi efikas, transparent dhe të qëndrueshëm, i cili do të mundësojë financimin pa pengesa të projekteve për efiçiencën energjetike.
Ministrja Bozhinovska theksoi se krijimi i Fondit përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme në sektorin energjetik, përmes së cilës shteti krijon një mekanizëm të përhershëm financiar për mbështetjen e investimeve që do të kontribuojnë në uljen e konsumit të energjisë, kostove më të ulëta dhe rritjen e pavarësisë energjetike.
Në periudhën e ardhshme, fokusi do të jetë i orientuar drejt miratimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm dhe krijimit të të gjitha mekanizmave institucionalë dhe operacionalë që do t’i mundësojnë Fondit të fillojë financimin e projekteve për efiçiencën energjetike.
Fondi për efiçiencë të energjisë do të përfaqësojë një instrument kyç për mobilizimin e mjeteve financiare vendore dhe ndërkombëtare dhe orientimin e tyre drejt investimeve në sektorin publik dhe privat. Qëllimi i tij është të sigurojë mbështetje financiare afatgjatë për projekte që do të rrisin efiçiencën energjetike, do të kontribuojnë në uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe do të përshpejtojnë procesin e tranzicionit të gjelbër energjetik.
Bashkëbiseduesit konfirmuan angazhimin për koordinim intensiv dhe bashkëpunim partneriteti në periudhën e ardhshme, me qëllim që Fondi të bëhet një mekanizëm plotësisht funksional, i cili do të përshpejtojë investimet në efiçiencën energjetike dhe do të kontribuojë në përmbushjen e objektivave kombëtare dhe evropiane për klimën dhe energjinë.
Me krijimin e Fondit për efiçiencë të energjisë, Maqedonia fiton një instrument financiar modern, i cili do të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për investime në një energjetikë më të pastër, më efikase dhe më konkurruese.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale