Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Shoqata e Auditorëve të Licencuar të Energjisë të Maqedonisë (ZLEK) nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që hap mundësi të reja për nxitjen dhe përmirësimin e efiçencës energjetike në vend.
Qëllimi është që përmes bashkimit të ekspertizës dhe institucioneve të përshpejtohet përmirësimi i rregullativës energjetike dhe mbështetja profesionale. Memorandumi përfshin aktivitete si promovimi i efiçencës energjetike, shkëmbimi i informacionit, mbështetje teknike dhe organizimi i tribunave, trajnimeve dhe ngjarjeve.
“Përmes bashkimit të njohurive dhe burimeve, do të punojmë për përmirësimin e legjislacionit dhe krijimin e përfitimeve konkrete për qytetarët. Ky partneritet është përkushtimi ynë për një të ardhme më efikase,” theksoi ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska.
Kryetarja e ZLEK, MSc Vesna Nedelkovska, theksoi: “Bashkëpunimi me Ministrinë do të mundësojë një përdorim më efektiv të njohurive dhe ekspertizës sonë. Aktivitetet e përbashkëta do të kontribuojnë në hapa të rëndësishëm për afirmimin e efiçencës energjetike.”
Shoqata e Auditorëve të Licencuar të Energjisë të Maqedonisë (ZLEK) është një organizatë profesionale që ka për qëllim promovimin dhe përmirësimin e efiçencës energjetike duke siguruar që auditimet energjetike të kryhen nga auditorë të trajnuar dhe të licencuar, të përshtatshëm për secilin treg. Shoqata ofron shërbime konsulence, analiza profesionale dhe ndihmë në projekte konkrete të lidhura me efiçencën energjetike. Përmes aktiviteteve të saj, ZLEK kontribuon në përmirësimin e kornizës ligjore, edukimin e profesionistëve dhe publikut, si dhe zbatimin praktik të masave për efiçencë energjetike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ky bashkëpunim me Ministrinë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të efiçencës energjetike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend, duke vendosur themelin për qasje inovative për përballimin e sfidave energjetike.