Nën kryesimin e Ministres së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, u mbajt një takim i Këshillit për Tranzicion të Drejtë, ku u shqyrtuan dhe u miratuan pikat kyçe nga agjenda reformuese dhe Plani për Tranzicionin e Drejtë për vitin 2025. Ky Këshill, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve, kompanive, grupeve të punës dhe komuniteteve lokale, ka një rol qendror në menaxhimin dhe koordinimin e procesit të tranzicionit të drejtë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit u diskutuan disa pika të rëndësishme:
-
Miratimi i Planit Vjetor të Zbatimit të Tranzicionit të Drejtë për vitin 2025 – Plani përfshin aktivitetet kyçe, projektet dhe ndërhyrjet që do të zbatohen në vitin 2025, si dhe strukturën drejtuese dhe burimet e nevojshme për realizim të suksesshëm.
-
Struktura drejtuese për tranzicionin e drejtë – U paraqitën propozime për ndërtimin e kapaciteteve në institucione dhe kompani, me theks të veçantë në sigurimin e zbatimit të koordinuar dhe efektiv.
-
Raport mbi aktivitetet e zbatuara dhe hapat e ardhshëm – Anëtarët e Këshillit u informuan për aktivitetet e realizuara deri më tani dhe detyrimet që duhet të përfundojnë deri në fund të muajit, përfshirë edhe dorëzimin e planit të miratuar në Bashkimin Evropian.
Grupet e punës për burimet e ripërtëritshme dhe magazinimin, tranzicionin ekonomik, trajnimin dhe rikualifikimin tashmë e kanë shqyrtuar planin dhe kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre, të cilat janë përfshirë në versionin përfundimtar. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga rajonet e Bitolës dhe Kërçovës, të cilët theksuan nevojën për masa konkrete që do t'i ndihmojnë komunitetet lokale në proceset e tranzicionit.
Këshilli e konfirmoi Planin Vjetor të Zbatimit për vitin 2025, dhe dorëzimi i tij deri në fund të muajit do të përbëjë një hap të rëndësishëm përpara në agjendën reformuese dhe Planin e Rritjes së vendit.
Ministrja Bozhinovska theksoi se plani mundëson qasje në 85 milionë dollarë amerikanë në grante dhe mjete koncesionare, ndërsa investimet totale të nevojshme për zbatimin e procesit vlerësohen në tre miliardë euro. Pritet që dy miliardë euro të mobilizohen përmes investimeve private, kryesisht në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, me mbështetje nga bankat zhvillimore dhe fondet buxhetore.
“Tranzicioni i drejtë është një proces kyç për sigurimin e një ekonomie me emetime të ulëta karboni, duke mbrojtur njëkohësisht jetesën e punëtorëve dhe komuniteteve. Përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe social me punëtorët, sindikatat, punëdhënësit dhe komunitetet, do të krijojmë masa për të zbutur efektet negative, për të mbrojtur familjet vulnerabël nga varfëria energjetike dhe për të mbështetur bizneset dhe vendet e reja të punës,” tha ministrja Bozhinovska.
Këshilli për Tranzicion të Drejtë mblidhet një herë në muaj për të përshpejtuar dinamizmin e procesit dhe për të monitoruar rregullisht përparimin.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar në menaxhimin transparent dhe të përgjegjshëm të këtij procesi, duke siguruar drejtësi dhe përfshirje për të gjitha palët e interesuara.