Maqedonia është e gatshme të bëhet lider rajonal dhe shembull referimi për tranzicionin e drejtë energjetik në Ballkanin Perëndimor. Këtë e theksoi ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, në video-fjalimin e saj në ngjarjen globale të profilit të lartë Boosting Country-Led Energy Transformations, mbajtur në Kartagjenë, Kolumbi.
"Qëllimi ynë është i qartë dhe i padiskutueshëm – një tranzicion i shpejtë që do të jetë i drejtë për çdo punëtor dhe çdo komunitet që sot varet nga industria e qymyrit", tha Bozhinovska, duke theksuar se Maqedonia është e vendosur të tregojë se ambicia klimatike mund të kombinohet me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike.
Ministrja kujtoi se Qeveria tashmë ka miratuar një Plan Investimesh për një tranzicion të përshpejtuar nga qymyri, i zhvilluar në partneritet me BERZH, IFC dhe Bankën Botërore. Plani parashikon investime të mëdha në burimet e rinovueshme të energjisë, një rrjet modern elektroenergjetik dhe krijimin e vendeve të reja të gjelbra të punës.
"Me mbështetjen e Climate Investment Funds, ne po e ndërtojmë tranzicionin mbi baza që janë ekonomikisht të qëndrueshme dhe socialisht të drejta "Vizioni ynë është i qartë: pavarësi energjetike, rritje e sigurisë dhe mundësi të reja investimi," theksoi ajo.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska kujtoi prezantimin e Platformës për një tranzicion të drejtë të energjisë në COP28, e cila synon të krijojë zgjidhje të lokalizuara për mbi 5,000 persona që varen drejtpërdrejt ose indirekt nga industria e qymyrit.
Në të njëjtën kohë, delegacioni i Ministrisë së Energjisë po merr pjesë aktive në diskutime mbi platformën e re globale Clean Energy Learning Laboratory (CELL), e cila do të ofrojë shkëmbim njohurish dhe qasje në modele inovative financimi për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë së pastër.
"Maqedonia ka ambicie të mëdha. Suksesi i tranzicionit tonë do të jetë dëshmi se edhe qëllimet më të guximshme klimatike mund të bëhen realitet, nëse ka vizion të qartë, partneritete dhe guxim", theksoi Bozhinovska.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale