Ministrja për Energjitikë, Miniera dhe Burime Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Bankës Gjermane KfW, ku u diskutuan mundësitë për investime të ardhshme në sektorin energjetik dhe mbështetjen e bankës në procesin e transformimit të A.D. ESM në një kompani fitimprurëse dhe moderne.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e KfW-së e konfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim me Maqedoninë në fushën e energjisë së qëndrueshme. Ata theksuan rëndësinë e investimeve strategjike që do të kontribuojnë në modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe përshpejtimin e kalimit në burime të rinovueshme të energjisë.
Banka KfW është tashmë e angazhuar në projekte të rëndësishme energjetike në vend, si financimi i fazës së dytë të Parkut të Erës në Bogdanic dhe ndërtimi i impiantit fotovoltaik Bitola 2. Këto investime, me një vlerë prej 55 milionë euro, do të sigurojnë kapacitete shtesë për energjinë e rinovueshme, duke forcuar pavarësinë energjetike të vendit.
Parku i Erës në Bogdanic, me turbinat e reja, do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa impianti fotovoltaik Bitola 2, i cili do të përfundojë në vitin 2027, do të prodhojë deri në 90 GWh çdo vit – mjaftueshëm për të furnizuar 20,000 familje.
Banka KfW theksoi angazhimin e saj për mbështetje ndaj qeverisë maqedonase në arritjen e qëllimeve klimatike dhe energjetike, të përshtatshme me standardet evropiane.
Takimi përfundoi me pajtueshmëri për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e investimeve në burime të rinovueshme dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në nivel kombëtar.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale