Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Petr Macinka, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.
Energjia, investimet dhe zbatimi i teknologjive moderne ishin në fokus të takimit të ministres së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Petr Macinka.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i vazhdueshëm ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë, me vlerësimin e përbashkët se ekziston hapësirë e konsiderueshme për thellimin e mëtejshëm të tij, veçanërisht në sektorin e energjetikës.
Në bisedë vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për investime çeke dhe pranisë më të madhe të kompanive çeke në Maqedoni, si dhe shkëmbimit të ekspertizës dhe teknologjive në fusha me rëndësi strategjike – infrastruktura energjetike, burimet e rinovueshme të energjisë, efikasiteti energjetik dhe modernizimi i sistemeve energjetike.
„Çekia është një partner i dëshmuar dhe i rëndësishëm për ne. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe kanale të vendosura komunikimi, ndërsa tani synimi është të bëjmë edhe një hap përpara – nga shkëmbimi i përvojave drejt projekteve konkrete, investimeve dhe partneriteteve teknologjike. Maqedonia ka potencial të madh, ndërsa njohuritë dhe përvoja çeke mund të jenë një kontribut i rëndësishëm në transformimin tonë energjetik”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Bozhinovska theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë institucionale dhe diplomacisë ekonomike për hapjen e mundësive të reja për kompanitë maqedonase dhe tërheqjen e investitorëve nga Çekia.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në ekonomi dhe energjetikë tashmë ka një bazë konkrete. Në mars të vitit 2025, ministrja Bozhinovska ishte bashkëkryesuese e Takimit të Tretë të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik Dypalësh ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës së Çekisë, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe realizimin e projekteve me interes të përbashkët.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, pala maqedonase gjatë periudhës së kaluar ka zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me institucione dhe kompani relevante çeke të energjetikës, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e kushteve për partneritete konkrete.
Në takim u përfundua se tranzicioni energjetik, siguria e furnizimit dhe modernizimi i infrastrukturës janë fusha në të cilat të dyja vendet kanë interes të përbashkët, ndërsa ekziston potencial për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve konkrete dhe përfshirjes së komuniteteve të biznesit.
Takimi Bozhinovska – Macinka është konfirmim se marrëdhëniet tradicionalisht të mira politike ndërmjet Maqedonisë dhe Çekisë po shndërrohen në një bashkëpunim gjithnjë e më të fuqishëm ekonomik dhe energjetik, me fokus në investime, teknologji dhe rezultate konkrete.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale