Në një intervistë për MTV-në, Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se Maqedonia ka furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me derivate të naftës, pavarësisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme që ndikojnë në çmimet në tregjet botërore
„Më e rëndësishmja për qytetarët është se ka siguri dhe karburant të mjaftueshëm. Si Qeveri, ne i monitorojmë vazhdimisht gjendjet dhe kemi ndërmarrë masa për të zbutur presionin e çmimeve. Vënia në funksion e tubacionit të produkteve të naftës në fillim të vitit u dëshmua si një vendim i duhur në kohë dhe me rëndësi strategjike. Sipas të dhënave të Ministrisë, deri më 30 prill përmes tij janë transportuar 145 mijë metra kub naftë (dizel), që përfaqëson rreth 30% të kapacitetit vjetor të planifikuar. Me këtë tubacion kemi shmangur sfidat që lidhen me transportin përmes pikave kufitare dhe, njëkohësisht, kemi kontribuar në mbrojtjen e mjedisit,” theksoi ministrja.
Bozhinovska shtoi se rezervat shtetërore të derivateve të naftës aktualisht sigurojnë mbulim për 60 deri në 62 ditë, ndërsa sipas standardeve evropiane deri në vitin 2030 vendi duhet të ketë rezerva për 90 ditë. Ajo vlerësoi se sasitë aktuale janë të mjaftueshme dhe se për momentin nuk ka nevojë për rritje të mëtejshme të tyre. Sa i përket çmimeve, ministrja deklaroi se nuk priten shtrenjtimе drastike si në vitin 2022, pasi parashikimet ndërkombëtare tregojnë drejt një stabilizimi gradual të tregjeve.
„Greqia ka rrugë alternative për furnizim nga Afrika e Veriut dhe rajone të tjera. Nëse atje nuk ka ndërprerje në furnizim, nuk do të ketë probleme as tek ne. Jemi vazhdimisht në komunikim me partnerët grekë dhe marrim garanci se furnizimi do të mbetet i qëndrueshëm", shtoi Bozhinovska.
Ndërtimi i interkonektorëve të gazit me Greqinë dhe Serbinë po zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa Maqedonia në vitet e ardhshme ka potencial të bëhet një pikë e rëndësishme tranziti për furnizimin me gaz natyror në rajon, deklaroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në një intervistë për MRT.
„ Evropa po kërkon në mënyrë aktive alternativa ndaj burimeve energjetike ruse dhe pikërisht për këtë arsye ky interkonektor po fiton rëndësi shtesë. Ai do të mundësojë qasje në burime të reja të gazit natyror edhe për Evropën Qendrore dhe do të rrisë rolin energjetik të shtetit në rajon. Interkonektori ka një gjatësi prej 67 kilometrash, ndërsa rreth 90 për qind e shpronësimit të tokës tashmë ka përfunduar. Deri më tani janë vendosur rreth 25 për qind e tubacioneve dhe 10 për qind e tyre tashmë janë salduar. Bëhet fjalë për një infrastrukturë moderne që është e përgatitur edhe për transportin e hidrogjenit. Kjo do të thotë se që sot po përgatitemi për nevojat energjetike të së ardhmes. Paralelisht, po punohet edhe për interkonektorin me Serbinë. Nga ana maqedonase tashmë është shpallur tenderi për ndërtimin e 22 kilometrave gazsjellës, ndërsa pala serbe do të punojë në segmentin e saj”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se interkonektori me Greqinë do të ketë kapacitet deri në 2,8 miliardë metra kub gaz natyror në vit, gjë që jo vetëm do t’i plotësojë nevojat e brendshme të vendit, por do të krijojë hapësirë edhe për tranzit drejt vendeve fqinje.
„ Maqedonia do të mund të realizojë të ardhura nga tranziti i gazit natyror, ndërsa njëkohësisht do të pozicionohet si një korridor i rëndësishëm energjetik për rajonin dhe Evropën Qendrore”, theksoi ministrja.
Sa i përket gazifikimit në vend, Bozhinovska theksoi se NOMAGAS paralelisht po punon në ndërtimin e rrjetit të brendshëm përmes unazave të reja lidhëse. Procesi është nisur dhe do të realizohet në faza. Ka ende shumë hapa që duhet të përmbushen deri në fund të vitit 2027. Duhet të formohet edhe një operator i gazit, tha Bozhinovska.
Intervistën e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: https://play.mrt.com.mk/play/594749