Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me Rita Kolumbian, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut.
Në takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit në kuadër të Kornizës së Bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026–2030, me fokus të veçantë në prioritetet që lidhen me tranzicionin energjetik, veprimin klimatik, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Prioritetit Strategjik “Shoqëri dhe ekosisteme të qëndrueshme dhe të gjelbra”, i cili parashikon forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë dhe promovimin e energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.
Ministrja Bozhinovska theksoi se Ministria mbetet fuqishëm e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në kuadër të tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të drejtë, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit me organizatat ndërkombëtare si mbështetës kyç i proceseve reformuese.
Në kuadër të takimit u theksua edhe bashkëpunimi i deritanishëm aktiv ndërmjet dy institucioneve dhe aktivitetet e përbashkëta të ministres Bozhinovska dhe Koordinatores së Përhershme të OKB-së, Kolumbia, në drejtim të forcimit të rolit të grave dhe të rinjve në krijimin e politikave dhe lidershipin në sektorin energjetik.
Të dyja bashkëbisedueset u pajtuan se frymëzimi dhe inkurajimi i të rinjve dhe grave që të jenë bartës të ndryshimeve përbën bazën e zhvillimit të qëndrueshëm. Po ashtu, u diskutua për mundësitë e realizimit të projekteve dhe iniciativave të reja të përbashkëta edhe në të ardhmen.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë bashkëpunimin aktiv me partnerët ndërkombëtarë në drejtim të ndërtimit të një shoqërie më të qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më të zhvilluar, ku askush nuk do të mbetet i përjashtuar.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale