Bozhinovska alarmon: Me këtë ritëm, për barazi gjinore do të na duhen edhe 57 vite – gratë në energjetikë na duhen sot për një sektor më të fortë dhe më inovativ

Bozhinovska alarmon: Me këtë ritëm, për barazi gjinore do të na duhen edhe 57 vite – gratë në energjetikë na duhen sot për një sektor më të fortë dhe më inovativ

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, iu drejtua një aktiviteti të organizuar në kuadër të projektit ELeVATE (2025–2028), i dedikuar inkurajimit dhe mbështetjes së vajzave dhe grave për zhvillimin e karrierës në sektorët e teknologjive neto-zero, sistemeve inteligjente energjetike dhe tranzicionit të gjelbër.

Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se tranzicioni energjetik nuk është vetëm një proces teknologjik, por edhe një transformim i thellë i fuqisë punëtore, në të cilin gratë duhet të kenë një rol të barabartë dhe të dukshëm.

“Gratë në sektorin e energjetikës ende janë të përfaqësuara në mënyrë të pamjaftueshme. Kjo nuk do të thotë se mungojnë njohuritë dhe ambicia, por se ekziston një potencial i pashfrytëzuar që shteti dhe shoqëria nuk guxojnë ta injorojnë. Indeksi i barazisë gjinore në vitin 2022 ishte 64,5 pikë nga 100 të mundshme, që paraqet një rritje prej vetëm 2,5 pikësh krahasuar me vitin 2019. Me këtë ritëm, do të nevojiteshin afërsisht 57 vite për të arritur barazinë gjinore në të gjitha fushat. Kjo e thekson urgjencën: nuk mund të presim me dekada për të krijuar mundësi të barabarta. Më shumë gra në sektor janë përfitim për të gjithë. Agjencia Ndërkombëtare për Energji të Rinovueshme (IRENA) ka konstatuar se organizatat me më shumë gra në pozita udhëheqëse në energjetikë tregojnë 20 për qind performancë dhe inovacion më të lartë. Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar se ekipet që përfshijnë gjini të ndryshme janë më fitimprurëse, më kreative dhe më rezistente në situata krize. Kur grave u jepet fuqi, i gjithë sektori dhe shoqëria përfitojnë”, theksoi Bozhinovska.

Ajo nënvizoi se interesi për shkencë dhe teknologji tek vajzat ekziston që në moshë të hershme, por shpesh humbet për shkak të stereotipeve, mungesës së mbështetjes dhe qasjes së kufizuar në mundësi praktike. Prandaj, siç tha ajo, është e domosdoshme krijimi i një rruge të qartë dhe të vazhdueshme – nga arsimi, përmes trajnimit praktik, deri te punësimi dhe avancimi profesional.

“Këto barriera nuk janë të pakalueshme. I kapërcejmë përmes partneriteteve, përmes projekteve të tilla, përmes dialogut të hapur dhe përmes programeve konkrete që i afrojnë gratë e reja me sektorin real”, theksoi Bozhinovska

Ministrja përmendi gjithashtu prioritetet strategjike të shtetit për periudhën 2026–2030, ndër të cilat janë zhvillimi i përshpejtuar i burimeve të ripërtrishme të energjisë, efikasiteti energjetik i objekteve dhe digjitalizimi i infrastrukturës elektroenergjetike – procese që drejtpërdrejt do ta formësojnë tregun e punës dhe kërkesën për profile dhe aftësi të reja.

“Teknologjitë me emetime neto-zero do të kërkojnë ekspertë për burime të ripërtrishme, specialistë për ndërtesa të mençura dhe automatizim, inxhinierë digjitalë, menaxherë për

 

efikasitet energjetik dhe profesionistë për rrjete të mençura. Detyra jonë është që sa më shumë gra të jenë pjesë e kësaj ekonomie të re”, theksoi Bozhinovska.

Ajo potencoi se Ministria e Energjisë është fuqishëm e përkushtuar në mbështetjen e vajzave dhe grave në sektorët STEM dhe të energjetikës, përmes trajnimeve praktike, partneriteteve me kompani, rrjeteve të mentorimit dhe programeve që lidhin arsimin me sektorin real.

Projekti ELeVATE, i cili lidh institucionet arsimore, kompanitë, sektorin publik dhe autoritetet lokale, u theksua si shembull i një modeli konkret dhe të zbatueshëm që kapërcen barrierat dhe krijon mundësi reale për gratë në teknologjitë e gjelbra.

“Tranzicioni energjetik do të jetë i suksesshëm vetëm nëse është gjithëpërfshirës – nëse i përfshin gratë, nëse krijon mundësi të barabarta dhe nëse lidh arsimin, biznesin dhe institucionet”, porositi ministrja Bozhinovska.

Me respekt,

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale

 

 

 

Accessibility Menu