Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit për Tranzicion të Drejtë, ku u diskutua për hapat e ardhshëm në zbatimin e procesit të tranzicionit të drejtë.
„Kur flasim për dekarbonizimin, nuk flasim për një qëllim abstrakt, por për një udhërrëfyes konkret që është pjesë e obligimeve tona ndaj Bashkimit Evropian. Që ky proces të jetë real dhe i qëndrueshëm, është e nevojshme që ai të përfshihet në dokumentet strategjike, programet dhe planifikimin e të gjitha institucioneve që janë pjesë e kësaj agjende”, theksoi ministrja Bozhinovska në takim.
Fokusi i mbledhjes së Këshillit për Tranzicion të Drejtë ishte vendosur te koordinimi institucional, harmonizimi me Agjendën e Reformave, sigurimi i mbështetjes financiare dhe masat për mbështetjen e të punësuarve në sektorin energjetik.
Anëtarët e Këshillit bënë një shqyrtim të progresit në realizimin e Planit Vjetor për Tranzicion të Drejtë, me ç’rast u konstatua se aktivitetet po zhvillohen në drejtim pozitiv, por se faza e ardhshme kërkon koordinim më të fortë institucional dhe mobilizim konkret të instrumenteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve prioritare.
Në takim, theks i veçantë iu kushtua harmonizimit të Udhërrëfyesit për dekarbonizim me dokumentet strategjike dhe programet e institucioneve të përfshira në proces, si dhe sigurimit të një qasjeje të koordinuar ndaj zbatimit të reformave të lidhura me tranzicionin energjetik.
Ме respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale