Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale ka përmbyllur një nga fazat kyçe në forcimin e sigurisë energjetike të shtetit – është realizuar me sukses dëgjimi publik për Vlerësimin e rrezikut në furnizimin me gaz, në bashkëpunim me Qendrën e përbashkët kërkimore (JRC) të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të industrisë vendore të gazit.
Me këtë, Maqedonia praktikisht ka finalizuar procesin kombëtar të Vlerësimit të rrezikut, të zbatuar plotësisht në përputhje me legjislacionin evropian për sigurinë e furnizimit me gaz – një hap që e pozicionon vendin përpara shumicës së shteteve të rajonit, veçanërisht në kuadër të anëtarëve të Komunitetit të energjisë.
Procesi nuk është vetëm harmonizim formal me BE-në, por një forcim thelbësor i sistemit: identifikim i qartë i rreziqeve, skenarë për ndërprerje të mundshme dhe mekanizma konkretë reagimi. Në këtë mënyrë, shteti po ndërton një sistem energjetik rezistent dhe të parashikueshëm, të gatshëm për situata krize.
Në fazën e ardhshme, Vlerësimi i rrezikut do t’i dorëzohet për miratim formal Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Në bazë të gjetjeve dhe rekomandimeve të tij, do të vijojë përgatitja e dy dokumenteve kyçe strategjike:
· Plani parandalues
· Plani për situata krize
Këto dokumente do të hartohen me mentorim të drejtpërdrejtë dhe mbështetje teknike nga JRC, gjë që garanton cilësi të lartë dhe përputhje të plotë me standardet evropiane.
Me këtë aktivitet, Ministria e energjisë po ofron një rezultat konkret: siguri të rritur në furnizimin me gaz, gatishmëri më të mirë institucionale dhe koordinim të forcuar rajonal. Në kushtet e pasigurisë globale energjetike, kjo nënkupton stabilitet për ekonominë dhe siguri për qytetarët.
Ministrja Sanja Bozhinovska theksoi se siguria energjetike ndërtohet me zgjidhje sistemike dhe partneritete me institucionet relevante evropiane – pikërisht si ky proces që e pozicionon Maqedoninë një hap përpara rajonit.
Me respekt,
Ministria e energjisë minierave dhe burimeve minerale