Me fluturimin e parë të linjës ajrore të re direkte Shkup – Pragë, vendi po ndërmerr një hap të rëndësishëm në promovimin e ndërlidhjes ndërkombëtare, bashkëpunimit ekonomik dhe mobilitetit të qytetarëve.
Në ngjarjen me rastin e themelimit të linjës ajrore u drejtua ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, së bashku me ambasadorin çek Jaroslav Ludva, drejtorin e përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, si dhe përfaqësues të Wizz Air.
Si kryetare e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, ministrja informoi se iniciativa e rrugës direkte ajrore u lançua në Takimin e Përbashkët Maqedonas-Çek në Pragë në mars të këtij viti, si pjesë e një axhende më të gjerë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe lehtësimin e komunikimit të biznesit.
Ministrja Bozhinovska theksoi se vendosja e linjës direkte nuk është një hap i rastësishëm, por rezultat i një vizioni të qartë dhe iniciativës konkrete.
"Kjo linjë ajrore është një lidhje e vërtetë midis dy ekonomive, dy tregjeve dhe dy shoqërive. Ndërlidhja është një parakusht për zhvillim – Për mua, kjo linjë ka gjithashtu një dimension të fortë personal. Më 20 gusht 1998, u transferova në Pragë, në një kohë kur nuk kishte fluturime direkte midis dy vendeve tona. Ndërlidhja ishte e ndërlikuar, e shtrenjtë dhe kërkonte kohë. Nga viti 2005 deri në 2012 kishte një linjë të drejtpërdrejtë dhe e di nga përvoja personale se sa do të thotë një lidhje e drejtpërdrejtë ajrore – jo vetëm simbolikisht, por realisht, me jetën, me biznesin dhe për komunikimin e përditshëm midis njerëzve. Prandaj, që nga dita e parë si ministre, unë mbështes fuqimisht thellimin e lidhjeve midis Maqedonisë dhe Republikës Çeke dhe krijimin e kushteve reale që do ta lehtësojnë këtë ndër lidhje", theksoi Bozhinovska.
Linja ajrore direkte Shkup – Pragë do të kontribuojë në rritjen e trafikut turistik dhe të biznesit, lëvizshmërinë më të mirë të qytetarëve dhe përfshirjen më të fortë të Maqedonisë në rrjedhat ekonomike evropiane.
Transporti ajror është një segment i rëndësishëm i strategjisë së përgjithshme për infrastrukturën moderne, rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal, ku projekte të tilla realizohen përmes bashkëpunimit të koordinuar midis institucioneve dhe sektorit privat.
Ministrja Bozhinovska përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet TAV Maqedoni dhe Wizz Air, duke vlerësuar se është shembull i një partneriteti efektiv që sjell rezultate konkrete për qytetarët dhe ekonominë.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale