Vendoset rend: Pa plan nuk ka investime – komunat marrin rolin kyç, miratohet rregullorja

Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon publikun se në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” është publikuar Rregullorja për formatin, përmbajtjen dhe metodologjinë për hartimin e planeve komunale energjetike.

Me këtë rregullore, për herë të parë vendoset një sistem i qartë, i strukturuar dhe i kontrolluar për planifikimin e investimeve energjetike në nivel lokal dhe kombëtar. Me këtë i jepet fund qasjes ad-hoc dhe vendoset rend, parashikueshmëri dhe zhvillim i barabartë i kapaciteteve energjetike në vend.

Risitë kryesore të sistemit:

Investitorët që planifikojnë realizimin e objekteve energjetike me kapacitet deri në 1 MW, i dorëzojnë iniciativat drejtpërdrejt te komunat ku planifikojnë të investojnë, më së voni deri më 1 prill;

Komunat, bazuar në iniciativat e pranuara, nevojat e tyre dhe mundësitë hapësinore, hartojnë plan komunal energjetik dhe propozim për investime;

Planet e përgatitura komunat i dorëzojnë në Ministri më së voni deri më 15 maj;

Ministria, duke pasur parasysh pasqyrën e përgjithshme dhe nevojën për zhvillim të balancuar, përgatit plan vjetor për investime;

Planet komunale energjetike publikohen në faqet e internetit të komunave më së voni deri më 1 korrik, duke e bërë procesin plotësisht transparen.

Me këtë metodologji të re, komunat bëhen filtër dhe partner kyç në procesin e planifikimit, duke mundësuar që investimet të jenë në përputhje me nevojat reale të qytetarëve, kapacitetet infrastrukturore dhe zhvillimin lokal.

Në të njëjtën kohë, Ministria siguron koordinim strategjik dhe kujdes për shpërndarje të balancuar të kapaciteteve në nivel kombëtar, duke parandaluar përqendrimin e tepërt të projekteve në rajone të caktuara dhe duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë energjetik.

Rregullorja synon të ndihmojë komunat në çdo hap të procesit – nga iniciativa deri te plani final – përmes udhëzimeve të qarta, strukturës dhe metodologjisë për hartimin e planeve komunale energjetike.

Në këtë drejtim, Ministria tashmë ia ka dorëzuar rregulloren ZELS-it, i cili do ta shpërndajë te të gjitha komunat në vend.:

Ministria mbetet në dispozicion të të gjitha komunave për informacione shtesë, mbështetje profesionale dhe sqarime lidhur me zbatimin e rregullores, me qëllim që procesi i përgatitjes dhe realizimit të planeve komunale energjetike të zhvillohet pa pengesa dhe në mënyrë efikase.

Për pyetje dhe mbështetje, komunat mund të kontaktojnë në: opshtinskiplan@energy.gov.mk

Me vendosjen e këtij sistemi, për herë të parë krijohet bazë për menaxhim afatgjatë, të kontrolluar dhe strategjik të investimeve energjetike në Maqedoninë e Veriut – në interes të qytetarëve, komunave dhe ekonomisë.

 

Me respekt

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale

Accessibility Menu