Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi që krijon një kornizë të qartë dhe afatgjatë për veprim të përbashkët në fushat e energjisë, efikasitetit energjetik, burimeve të ripërtrishme dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Memorandumi u nënshkrua nga ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Maqedoninë e Veriut , Armen Grigorjan. Memorandumi forcon bashkëpunimin institucional midis dy palëve dhe hap hapësirë për aktivitete të koordinuara që synojnë një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës energjetik, forcimin e pavarësisë energjetike dhe qëndrueshmërinë e vendit, si dhe përmbushjen e objektivave kombëtare dhe ndërkombëtare klimatike.
"Ky memorandum përfaqëson një konfirmim të fuqishëm të përkushtimit tonë për një tranzicion energjetik modern, të qëndrueshëm dhe të drejt. Përmes partneritetit tonë me UNDP-në, fitojmë ekspertizë dhe mbështetje shtesë për hartimin dhe zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin", deklaroi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Bashkëpunimi do të realizohet në përputhje me prioritetet kombëtare dhe Dokumentin e Programit të UNDP-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026-2030, me fokus të veçantë në qeverisjen e mirë, transparencën dhe përfshirjen aktive të publikut në proceset vendimmarrëse të lidhura me energjinë.
"UNDP mbetet një partner i përkushtuar i institucioneve në Maqedoninë e Veriut në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky memorandum krijon një bazë të fortë për punë të përbashkët në sektorin e energjisë, me fokus në energjinë e pastër, uljen e emetimeve dhe dialogun publik gjithëpërfshirës", theksoi përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan.
Memorandumi parasheh aktivitete të përbashkëta në zhvillimin e sektorit energjetik, minierat dhe menaxhimin e burimeve minerale, uljen e emetimeve të gazeve serrë përmes rritjes së përdorimit të burimeve të ripërtrishme dhe masave të efiçiencës së energjisë, si dhe mbështetje në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare, legjislacionit dhe planeve të veprimit në fushën e energjisë.
Një segment veçanërisht i rëndësishëm i bashkëpunimit synon forcimin e kapaciteteve institucionale, teknike dhe njerëzore, duke ndërtuar ekspertizë dhe duke përmirësuar proceset për krijimin dhe zbatimin e politikave publike, si dhe promovimin e transparencës dhe dialogut publik gjithëpërfshirës, me vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, grave dhe grupeve të cenueshme të qytetarëve. Në kuadër të partneritetit, parashikohet një organizim i përbashkët i ngjarjeve,
forumeve dhe iniciativave kombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar zhvillimit të qëndrueshëm dhe tranzicionit energjetik.
Memorandumi është lidhur për një periudhë katërvjeçare, me mundësi vazhdimi, dhe paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Energjisë dhe UNDP-së me synimm një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike për Maqedoninë e Veriut.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale