Sot, në ambientet e Ministrisë së energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, u nënshkrua zyrtarisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit të gazsjellësit Maqedoni e Veriut-Greqi, një projekt me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit dhe rajonit.
Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit morën pjesë përfaqësues të partnerit strategjik nga pala greke – DESFA, si dhe përfaqësues të financuesve kryesorë ndërkombëtarë të projektit – Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH) dhe Banka evropiane e investimeve (BEI). Ngjarja u mbështet më tej nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Stopanska banka shkup, si dhe Anëtarët e bordit drejtues të NOMAGAS SHA Shkup, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë dhe mbështetjen e gjerë që gëzon ky projekt nga partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.
Interkonektori, 68 kilometra i gjatë në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mundësojë transportin e gazit natyror dhe hidrogjenit, duke kontribuar në sigurinë energjetike, reduktimin e ndotjes dhe përshpejtimin e tranzicionit në burimet e gjelbra të energjisë.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve inerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj, theksoi:
"Me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit të gazit me Greqinë, ne shënojmë fillimin e investimit më të madh energjetik në Maqedoninë e Veriut në dhjetë vitet e fundit. Ky interkonektor është dëshmi se kur ka vullnet politik, besim rajonal dhe angazhim profesional – rezultatet janë reale dhe të prekshme."
Projekti, i vlerësuar në mbi 5.1 miliardë denarë, do të zbatohet me mbështetjen e Bashkimit evropian, Bankës evropiane të investimeve (BEI) dhe Bankës europiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH), përmes granteve, asistencës teknike dhe kredive të favorshme.
Drejtori Ekzekutiv i NOMAGAS SHA Shkup, z. Muhamet Elmazi, deklaroi:
"Ky është një projekt historik që jo vetëm që lidh sistemin tonë energjetik me Greqinë, por gjithashtu na ofron akses në tregjet evropiane të energjisë. Faleminderit të gjithë partnerëve për besimin dhe bashkëpunimin e tyre."
Gazsjellësi do të ketë një kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, me mundësi zgjerimi në 3 miliardë. Kohëzgjatja e ndërtimit është 22 muaj dhe interkonektori parashikohet të jetë funksional në vitin 2027. Puna do të kryhet nga kompania vendase, Rapid Build LLC, dhe rruga e ndërtimit do të dorëzohet menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.
Në fjalimin e tij, Drejtori i Rapid Build LLC, z. Toni Karanfilovski, theksoi se kompania është plotësisht e përgatitur për zbatimin e këtij projekti kapital infrastrukturor:
"Rapid Build ka staf me ekspertizë dhe ka pajisjet e plota teknike të nevojshme për realizim në kohë dhe me cilësi të lartë. Përvoja jonë e deritanishme përfshin projekte të zbatuara me sukses përtej kufijve të vendit, që është një konfirmim i seriozitetit, profesionalizmit dhe aftësisë sonë për të respektuar të gjitha afatet dhe standardet e përcaktuara", tha Karanfilovski.
Projekti përfaqëson një hap konkret përpara drejt përmbushjes së standardeve të BE-së për efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Interkonektori gjithashtu do të kontribuojë në një reduktim të ndjeshëm të ndotjes, veçanërisht në komunat ku druri dhe nafta përdoren ende për ngrohje, gjë që do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të zvogëlojë emetimet e CO₂.
Me respekt,
Ministria e energjetikës,minierave dhe burimeve minerale