MINISTRJA BOZHINOVSKA NË VJENË: PRIORITETE ENERGJETIKE, PARTNERITETE TË REJA DHE FORCIM I BASHKËPUNIMIT EVROPIAN

Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para Ministria e energjisë, minierave dhe lëndëve të para

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, ndodhet në Vjenë që nga sot, më 7 tetor, ku, me ftesë të veçantë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, po merr pjesë në programin “Gratë Udhëheqëse – Evropa Juglindore dhe Deti i Zi/Kaukazi i Jugut 2026 “.

Përmes vizitës në Vjenë, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale po prezanton prioritetet energjetike të vendit para institucioneve përkatëse evropiane, përfaqësuesve të sektorit publik, diplomatëve dhe vendimmarrësve të ardhshëm, me synim hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e partneriteteve në fushën e energjetikës.

Programi “Gratë Udhëheqëse 2026”, i organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i kushtohet forcimit të lidershipit të grave dhe sfidave bashkëkohore në sektorin publik. Pjesëmarrja e ministres Bozhinovska mundëson shkëmbimin e përvojave dhe trajtimin e çështjeve me rëndësi për të ardhmen e rajonit dhe të Evropës, përfshirë lidershipin, menaxhimin e krizave, barazinë gjinore dhe diplomacinë digjitale.

Bashkëpunimi energjetik mes Maqedonisë dhe Austrisë është një nga shtyllat kryesore të vizitës. Ministrja do të zhvillojë një takim pune me Severin Gruberin, sekretar të përgjithshëm të Ministrisë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit të Austrisë. Në fokus do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe ai ekonomik, tranzicioni energjetik, siguria energjetike, si dhe mundësitë për vendosjen dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Një pjesë e veçantë e agjendës u kushtohet të rinjve dhe diplomatëve të ardhshëm. Ministrja Bozhinovska do të mbajë një fjalim dhe një ligjëratë para studentëve të Akademisë Diplomatike të Vjenës, kushtuar tranzicionit energjetik dhe zhvillimeve aktuale në sektorin energjetik në Maqedoni.

Para studentëve do të prezantohen reformat dhe proceset që po e transformojnë sistemin energjetik maqedonas: zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, modernizimi i infrastrukturës energjetike, largimi gradual nga qymyri dhe zbatimi i tranzicionit të drejtë energjetik. Gjithashtu, do të prezantohen prioritetet që lidhen me sigurinë energjetike, diversifikimin e furnizimit, ndërlidhjen rajonale dhe integrimin në tregun evropian të energjisë.

Në kushtet e realitetit të ri energjetik dhe gjeopolitik në Evropë, ndërlidhja energjetike rajonale ka rëndësi të veçantë. Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm kanë korridoret e reja energjetike, përfshirë Korridorin Vertikal të Gazit, të cilat kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe diversifikimin e furnizimit.

Me agjendën aktive ndërkombëtare, Ministria vazhdon të ndërtojë partneritete në rajon dhe në Evropë, të krijojë mundësi për investime dhe bashkëpunim të ri, si dhe t’i pozicionojë interesat energjetike të Maqedonisë në proceset më të gjera evropiane. Vizita në Vjenë synon krijimin e mundësive konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në fushën e energjetikës, me fokus te një e ardhme energjetike e sigurt, moderne dhe e qëndrueshme.

 

Me respekt,

Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale

Accessibility Menu