Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, po merr pjesë në "Javën e Energjisë së Qëndrueshme" që organizohet në Gjenevë, Zvicër. Si paneliste në dy diskutime, ministrja ndau mendimet e saj për drejtimet në të cilat zbatohet tranzicioni i drejtë si pjesë e pandashme e tranzicionit të gjelbër të vendeve të rajonit, dhe gjithashtu foli për temën e përshpejtimit të tranzicionit energjetik.
"Jam e kënaqur që si vend kemi sërish mundësinë të marrim pjesë drejtpërdrejt në diskutimet e një prej ngjarjeve më të njohura të energjisë në Evropë. Ky aktivitet disa ditor do të na ndihmojë të transmetojmë qëndrimin tonë si Qeveri në lidhje me proceset serioze që e presin rajonin në rrugën drejt skenarit të gjelbër, dekarbonizimit dhe uljes së emetimeve të dioksidit të karbonit. Kthimi drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë është imperativi ynë dhe një nga prioritetet kryesore për vitet në vijim. Jam e bindur që me kolegët nga rajoni i UNECE-së do të kemi një mundësi të shkëlqyer për rrjetëzim dhe hapje diskutimesh mbi të gjitha sfidat në proceset kryesore të tranzicionit energjetik," tha Bozhinovska.
Bozhinovska realizoi takime bilaterale me përfaqësues dhe faktorë të rëndësishëm në fushën e energjisë së qëndrueshme, përfshirë Zëvendës Sekretarin Ekzekutiv të UNECE, Dmitry Mariyasin; Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Energjisë së Moldavisë, Carolina Novak; dhe mori pjesë në një takim pune me kryesuesit e Komitetit të UNECE-së për Energji të Qëndrueshme, Jürgen Keinhorst dhe Margalita Arabidze.
Puna e UNECE-së si organizatore e Javës së Energjisë së Qëndrueshme synon të përmirësojë qasjen në energji të përballueshme dhe të pastër për të gjithë dhe të ndihmojë në uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe të gjurmës së karbonit të sektorit të energjisë në rajon. Kjo ngjarje fokusohet në diskutime të gjera për ndërtimin e sistemeve energjetike elastike për një tranzicion të drejtë energjetik në rajonin e UNECE-së.