RUBINI MAQEDONAS FITON NJË SISTEM TË PLOTË MBROJTJEJE: NGA EMRI I MBROJTUR TEK PRODUKTI I CERTIFIKUAR DHE AFIRMIMI NDËRKOMBËTAR

RUBINI MAQEDONAS FITON NJË SISTEM TË PLOTË MBROJTJEJE: NGA EMRI I MBROJTUR TEK PRODUKTI I CERTIFIKUAR DHE AFIRMIMI NDËRKOMBËTAR

Bozhinovska: Natyra na e dhuroi pasurinë, ndërsa institucionet po krijojnë një sistem që do t’i japë asaj vlerë, mbrojtje dhe identitet të dallueshëm

Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale po e përmbyll fazën kyçe institucionale të procesit të mbrojtjes dhe afirmimit të „Rubinit Maqedonas“ – nga iniciativa e ndërmarrë në vitin 2025, përmes hartimit të Elaboratit dhe mbrojtjes ligjore të emërtimit gjeografik, deri te formimi i Komisionit që do të sigurojë kontrollin profesional, cilësinë dhe gjurmueshmërinë.

Në konferencën e sotme për media në Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, ministrja Sanja Bozhinovska theksoi se mbrojtja e „Rubinit Maqedonas“ nuk është vetëm një proces formal administrativ, por vendosja e një sistemi përmes të cilit një pasuri natyrore e Maqedonisë do të marrë rregulla të qarta, garanci institucionale dhe vlerë të shtuar ekonomike.

„Natyra na e ka dhënë këtë pasuri. Ekspertët përcaktojnë origjinën dhe vetitë e saj. Institucionet sigurojnë mbrojtjen ligjore dhe kontrollin, ndërsa artizanët dhe përpunuesit i japin formë dhe vlerë të shtuar. Detyra jonë është të krijojmë një sistem në të cilin çdo person që do ta shohë emrin ‘Rubini Maqedonas’ do ta dijë se pas tij qëndrojnë origjinë autentike, cilësi e verifikuar, standard i qartë dhe garanci institucionale”, deklaroi Bozhinovska.

Procesi filloi në vitin 2025, kur Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, në koordinim me Shërbimin Gjeologjik, ndërmori iniciativën për mbrojtjen institucionale dhe ligjore të „Rubinit Maqedonas“ si tregues gjeografik.

 Shërbimi Gjeologjik hartoi Elaboratin për mbrojtjen e produktit „Rubini Maqedonas“ si tregues gjeografik – gur gjysmë i çmuar (i çmuar), korund natyror, një varietet specifik i lidhur me mermerët dolomitikë dhe mermerët kalcikë-dolomitikë të zonës së Prilepit.

Elaborati është regjistruar me numër 01-102/2, më 15 maj 2026, ndërsa po atë ditë Shërbimi Gjeologjik paraqiti kërkesë pranë Entit Shtetëror për Pronësi Industriale për mbrojtjen e emërtimit gjeografik „Rubini Maqedonas “.

Më 17 qershor 2026, Enti Shtetëror për Pronësi Industriale mori vendim me të cilin emërtimi  gjeografik „Rubini Maqedonas“ u mbrojt.

Me këtë, emri „Rubini Maqedonas“ fiton mbrojtje ligjore, por njëkohësisht hapet edhe faza e ardhshme – zbatimi praktik i mbrojtjes dhe vendosja e një sistemi që do të garantojë se emërtimi përdoret vetëm për produktet që i përmbushin kushtet e përcaktuara.

Si hap i mëtejshëm ligjor, pas njohjes së emërtimit gjeografik, u formua Komisioni për kontrollin e cilësisë dhe vetive të veçanta të produktit „Rubini Maqedonas “.

Në takimin e punës të mbajtur më 3 shtator në Ministri u konfirmua përbërja dhe u zgjodh kryetari i Komisionit, ndërsa më 14 shtator Shërbimi Gjeologjik miratoi vendimin zyrtar për formimin e tij.

Komisioni përbëhet nga:

  • Aneta Ristovska – kryetare
  • Kika Shpritova – anëtare
  • Мice Trkaleski – anëtar
  • Filip Jovanoski – anëtar
  • Dean Shkartov – anëtar

Është hartuar edhe Rregullorja për mënyrën e punës së Komisioni.

Në konferencën për media ishte i pranishëm edhe drejtori i Shërbimit Gjeologjik, Ivica Andov,

Jelena Peeva, zëvendësdrejtoreshë e Entit Shtetëror për Pronësi Industriale, si dhe përfaqësues të të dyja institucioneve dhe anëtarët e Komisionit.

Peeva theksoi se me mbrojtjen e emërtimit gjeografik krijohet baza ligjore, por se vlera e vërtetë e sistemit sigurohet përmes zbatimit të tij të qëndrueshëm.

„Me vendimin e 17 qershorit, ‘Rubini Maqedonas’ fitoi mbrojtje ligjore si emërtim gjeografik. Hapi i radhës është të sigurojmë që kjo mbrojtje të funksionojë edhe në praktikë – përmes kritereve të qarta, kontrollit profesional, gjurmueshmërisë dhe respektimit të kushteve për përdorimin e emërtimit të mbrojtur”, theksoi Peeva.

Rregulla të qarta – kush dhe kur mund ta përdorë emrin „Rubini Maqedonas “?

Ministrja Bozhinovska theksoi se mbrojtja ka një qëllim konkret – të parandalohet keqpërdorimi i emrit dhe të sigurohet mbrojtje si për prodhuesit, ashtu edhe për blerësit.

„Emri ‘Rubini Maqedonas’ mund të përdoret vetëm kur është konfirmuar origjina, është siguruar gjurmueshmëria, është kryer kontrolli profesional dhe janë përmbushur kushtet e përcaktuara me Elaboratin dhe kuadrin ligjor”, tha Bozhinovska.

Sistemi do të përfshijë evidencën e materialit, përcaktimin e origjinës së tij, kontrollin profesional të cilësisë, gjurmueshmërinë nga vendi i origjinës, përmes përpunimit, deri te etiketimi dhe shitja, si dhe kushte të përcaktuara qartë për përdorimin e emërtimit të mbrojtur.

Parashihet gjithashtu krijimi i një regjistri publik të personave fizikë dhe juridikë që përmbushin kushtet ligjore për veprimtari që lidhen me nxjerrjen, përpunimin, qarkullimin dhe shitjen e rubinit maqedonas.

Një hap veçanërisht i rëndësishëm është vendosja e sistemit të certifikimit.

Të gjitha informacionet relevante për origjinën, përmbushjen e kushteve dhe kontrollin profesional do të përfshihen në certifikatë, ndërsa gjithashtu do të krijohet edhe një kod QR, përmes të cilit blerësi, me një skanim të vetëm, do të mund të marrë informacionet e përfshira në certifikatë.

Pritet që kodi i parë QR të jetë i përgatitur deri në fund të tetorit.

„Kur qytetari, turisti ose blerësi i huaj të shohë emërtimin ‘Rubini Maqedonas’, duhet të jetë i sigurt se pas këtij emri qëndrojnë origjinë autentike, cilësi e verifikuar dhe garanci institucionale. Pikërisht për këtë arsye po vendosim një sistem certifikimi, evidencimi dhe gjurmueshmërie”, deklaroi Bozhinovska.

Paralelisht me mbrojtjen kombëtare, institucionet po punojnë edhe për krijimin e kushteve për afirmimin ndërkombëtar të „Rubinit Maqedonas “.

Enti Shtetëror për Pronësi Industriale ka përgatitur dhe i ka dorëzuar Qeverisë Informacionin me Propozim-vendimin për aderimin e Maqedonisë në Akti i Gjenevës i Marrëveshjes së Lisbonës për emërtimet e origjinës dhe treguesit gjeografikë.

Pas miratimit të vendimit dhe zbatimit të procedurave të nevojshme për aderimin formal, do të krijohen kushtet për të shqyrtuar mundësinë e mbrojtjes ndërkombëtare të treguesit gjeografik „Rubini Maqedonas“ përmes Sistemit të Lisbonës.

„Ambicia jonë është e qartë – rubini maqedonas të jetë i njohur dhe i vlerësuar në Maqedoni, në rajon dhe në tregun ndërkombëtar. Njohja ndërkombëtare fillon me një sistem kredibil dhe funksional në vendin tonë”, theksoi ministrja.

„Rubini Maqedonas“ po fiton gjithashtu vendin e tij në Ministri. Në kuadër të aktiviteteve për afirmimin e rubinit maqedonas, në konferencën për media u theksua edhe rëndësia e mini-galerisë në ambientet e Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, e cila i kushtohet këtij burimi natyror, por edhe pasurive të tjera minerale të vendit tonë.

Mini-galeria është pajisur në bashkëpunim me Dejan Shkartov – Deko dhe organizatën joqeveritare „Otkritie“, me të cilën Ministria më herët ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi.

Ministrja Bozhinovska theksoi se mbrojtja e rubinit nuk përfundon me vendimin administrativ.

„Ne nuk duam vetëm ta mbrojmë emrin. Duam të mbrojmë historinë, origjinën dhe vlerën që qëndron pas këtij emri. Prandaj, paralelisht po punojmë për sistemin

e kontrollit dhe certifikimit, por edhe për afirmimin e tij. Mini-galeria është një hapësirë e vogël, por përcjell një mesazh të madh – se pasurinë natyrore duhet ta njohim, ta ruajmë dhe t’i japim vlerë”, tha Bozhinovska.

Paralelisht, është duke u hartuar Ligji i ri për Minierat, në të cilin çështjet që lidhen me zbatimin praktik të mbrojtjes së treguesit gjeografik „Rubini Maqedonas“ do të harmonizohen në mënyrën e duhur.

Në vijim do të bëhet informimi dhe edukimi zyrtar i artizanëve, përpunuesve, prodhuesve, tregtarëve dhe përdoruesve potencialë të autorizuar lidhur me kushtet për përdorimin e emërtimit të mbrojtur, mënyrën e evidencimit dhe kontrollit, si dhe detyrimet gjatë etiketimit, përpunimit, shitjes dhe promovimit.

„Nga pasuri gjeologjike – drejt një emri të mbrojtur. Nga emri i mbrojtur – drejt një produkti të certifikuar. Nga produkti i certifikuar – drejt një marke kombëtare të njohur. Dhe nga marka kombëtare – drejt një vlere të re ekonomike për Maqedoninë. Ky është sistemi që po ndërtojmë”, deklaroi Bozhinovska.

 

Me respekt,

Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale 

Accessibility Menu