“Gratë si udhëheqëse në shoqëri sjellin ndryshime pozitive pavarësisht sfidave me të cilat përballen, si paga e pabarabartë, qasja e kufizuar në pozita udhëheqëse dhe barrierat sistemike. Megjithatë, përkundër këtyre sfidave, ne vazhdojmë të ngrihemi, të shtyjmë kufijtë dhe të kërkojmë vendin tonë të merituar në një të ardhme që edhe ne e formësojmë,” tha Ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska në Forumin Ekonomik të Grave – Ballkani 2024.
Ministrja theksoi se shifrat ende tregojnë se gratë janë të nën-përfaqësuara në pozita kyçe vendimmarrëse, në role me përgjegjësi dhe kompetencë të lartë, ndërsa pjesëmarrja e tyre në fuqinë punëtore mbetet prapa mesatares evropiane. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është ndër më të ulëtat në Evropë.
Bozhinovska ndau gjithashtu përvojën e saj nga udhëtimi profesional jashtë Maqedonisë, ku u përball me barriera që i përjetojnë shumë të tjerë – barriera të dyshimit, paragjykimeve gjinore dhe rezistencës ndaj ndryshimeve.
“Kur u bëra ministre e energjisë, kuptova shpejt se ky sektor – si shumë të tjerë – ishte një sektor ku gratë ishin të nën-përfaqësuara. Por secila prej këtyre sfidave vetëm sa e forcoi vendosmërinë time. E dija se udhëheqja nuk ka të bëjë me titullin, por me marrjen e veprimeve. Mësova se udhëheqja nuk është për pozitë, por për përgjegjësi dhe rezultate. Si gra, duhet vazhdimisht të shtyjmë për ndryshim – jo vetëm për veten, por edhe për çdo grua që na sheh dhe beson në një të ardhme më të mirë. Nuk do të presim që ndryshimi të ndodhë – ne do ta sfidojmë atë, do të jemi ndryshimi,” theksoi ministrja.
Në Forumin e mbajtur në Shkup, gra të suksesshme dhe frymëzuese nga politika, biznesi dhe akademia dhanë mesazhe të fuqishme për rëndësinë e motivimit dhe mbështetjes së ndërsjellë mes grave. Ngjarja bashkoi 300 liderë biznesi, sipërmarrës, aktivistë, studiues dhe akademikë nga Portugalia, India, Egjipti, Turqia, Kroacia, Sllovenia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktiviteti është pjesë e franshizës globale të Women Economic Forum (WEF) dhe misionit global G100 Million.