Në margjinat e Delphi Economic Forum, që po mbahet në Delfi, Greqi, ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi një agjendë intensive takimesh bilaterale, duke hapur çështje kyçe për të ardhmen energjetike të Maqedonisë dhe pozicionin e saj në rajon.
Bozhinovska zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të sektorit të energjisë, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë, të fokusuar në forcimin e sigurisë energjetike, lidhjen rajonale dhe investimet e reja.
Në takimin me Maria Sferruzza, drejtoreshë ekzekutive e operatorit grek të gazit natyror DESFA, u diskutua për avancimin e bashkëpunimit në sektorin e gazit dhe shfrytëzimin e potencialeve që ofron infrastruktura greke, veçanërisht në kontekstin e terminaleve LNG dhe interkoneksionit me Maqedoninë. Bozhinovska theksoi rëndësinë e interkonektorit me Greqinë si një projekt kyç për diversifikimin e furnizimit dhe rritjen e sigurisë energjetike.
Tema e inovacionit dhe transformimit digjital në energjetikë u hap në bisedimet me Federico Menna, drejtor ekzekutiv i 28DIGITAL – një ekosistem evropian inovacioni i themeluar në kuadër të Institutit Evropian për Inovacion dhe Teknologji (EIT), organ i Bashkimit Evropian, ku u shqyrtuan mundësitë që Maqedonia të përfshihet më intensivisht në ekosistemet evropiane teknologjike dhe të inovacionit. Theks i veçantë u vu te sistemet inteligjente energjetike dhe zgjidhjet e reja që rrisin efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjeteve energjetike.
Në kuadër të forumit, ministrja Bozhinovska mori pjesë edhe në një panel së bashku me Joshua Volz, përfaqësues i lartë i Ministrisë së Energjisë të SHBA-së, përgjegjës për Evropën, Euroazinë dhe integrimin energjetik, ku në fokus ishte integrimi energjetik dhe roli i infrastrukturës në ndërtimin e sistemeve të sigurta dhe të diversifikuara. Diskutimi u mbështet mbi partneritetin strategjik tashmë të vendosur mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, veçanërisht në fushën e LNG-së dhe stabilitetit afatgjatë energjetik.
Dimensioni rajonal i politikës energjetike u konfirmua më tej përmes bisedimeve me Traiço Traikov, ministër i energjisë i Bullgarisë. Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi lidhshmërinë energjetike rajonale dhe projektet infrastrukturore aktuale dhe të ardhshme, duke theksuar nevojën për koordinim të shtuar dhe një qasje të përbashkët ndaj projekteve infrastrukturore dhe tranzicionit energjetik në Ballkan.
Mesazhe të ngjashme dolën edhe nga takimi me Cristian Silviu Busoi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Energjisë të Rumanisë. Në bisedime u theksua rëndësia e harmonizimit me rregullativën evropiane, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit në proceset e tranzicionit energjetik. Theks i veçantë iu dha forcimit të bashkëpunimit institucional dhe ndërtimit të një tregu energjetik të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, me Maqedoninë si faktor aktiv në stabilizimin rajonal.
Ministrja Bozhinovska theksoi se këto takime përfaqësojnë pjesë të një strategjie më të gjerë për pozicionimin aktiv të Maqedonisë si një partner i besueshëm dhe relevant në arkitekturën energjetike rajonale dhe evropiane.
„ Qëllimi ynë është i qartë – nga një vend i varur nga një rrugë e vetme, të bëhemi një sistem me më shumë burime, më shumë korridore dhe stabilitet më të madh, me një rol që do të përcaktojë vendin tonë në Evropë në dekadat që vijnë.“
Me këtë agjendë dinamike në Delfi, ministrja Bozhinovska dërgon një mesazh të qartë se Maqedonia nuk është më vëzhguese, por një pjesëmarrëse aktive në formësimin e politikave energjetike rajonale – me ambicien për t’u bërë një qendër e një rrjeti energjetik të ndërlidhur, të diversifikuar dhe të sigurt.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale