Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë në UNECE Resource Management Week 2026, ku mbajti një fjalim para përfaqësuesve të lartë, ekspertëve dhe hartuesve të politikave nga e gjithë bota.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska dërgoi një mesazh të fortë se menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve nuk është zgjedhje, por një imperativ në kohë sfidash globale energjetike dhe klimatike.
„ Po jetojmë në një periudhë të transformimit të thellë dhe të pakthyeshëm të sistemit energjetik dhe të burimeve. Sfidat si ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe qëndrueshmëria ekonomike janë të ndërlidhura, por edhe mundësitë që burojnë prej tyre mund të jenë shtytës i zhvillimit të qëndrueshëm – nëse veprojmë së bashku,” theksoi ministrja.
Ajo nënvizoi se Maqedonia në periudhën e fundit ka bërë një hap të rëndësishëm institucional me formimin e Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, si një hap kyç për forcimin e menaxhimit strategjik të burimeve energjetike dhe natyrore.
Kjo nuk ishte një vendim administrativ, por strategjik, me të cilin e vendosëm energjetikën në qendër të politikës kombëtare,” theksoi Bozhinovska.
Ministrja theksoi se tashmë po realizohen rezultate konkrete përmes zhvillimit të projekteve kyçe infrastrukturore, si lidhja e gazit me Greqinë dhe interkoneksioni i planifikuar me Serbinë, duke forcuar kështu sigurinë energjetike dhe integrimin rajonal.
Paralelisht, shteti po punon intensivisht në rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht në kapacitetet diellore dhe të erës, si dhe në përmirësimin e efikasitetit energjetik. Në sektorin minerar, fokusi është vendosur në shfrytëzimin e përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të burimeve, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, Bozhinovska theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit multilateral, duke nënvizuar se asnjë shtet nuk mund t’i tejkalojë i vetëm sfidat e tranzicionit energjetik.
„ Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është opsion – është domosdoshmëri. Vetëm përmes partneriteteve, shkëmbimit të njohurive dhe politikave të përbashkëta mund të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt,” tha ajo.
Si konfirmim i rolit aktiv të vendit në skenën ndërkombëtare, ministrja rikujtoi se Maqedonia ishte nikoqire e Forumit të 14-të Ndërkombëtar për energji dhe zhvillim të qëndrueshëm në Shkup, duke forcuar kështu pozitën e saj si partner kredibil dhe qendër rajonale për dialog.
Në fund, Bozhinovska bëri thirrje për bashkëpunim më të fuqishëm dhe veprim më të shpejtë:
„ Ne kemi njohuri, kemi mjete dhe kemi mundësi – por nevojitet vendosmëri dhe unitet. Qëndrueshmëria nuk është qëllim përfundimtar, por një proces që kërkon vizion, konsistencë dhe partneritet.“
Me pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Maqedonia edhe një herë konfirmon përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, sigurisë energjetike dhe rolit aktiv në proceset globale për përballimin e sfidave klimatike dhe energjetike.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale