Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi sot një takim pune me Melanie Mellinvud, përfaqësuese e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), mbi zbatimin e Planit për Rindërtimin e Ndërtesave Publike – një nga shtyllat kryesore të agjendës së reformave të shtetit.
Fokusi i takimit ishte zbatimi i Planit për rindërtimin e ndërtesave që përdoren nga institucionet e sektorit publik në nivel shtetëror për periudhën 2025-2028 – një dokument strategjik që përcakton një kornizë të qartë trevjeçare për rikuperimin më masiv dhe sistematik të energjisë së objekteve publike në vend deri më tani.
Bëhet fjalë për një Plan që tashmë është miratuar nga Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës harmonizimi me gjithsej 33 institucione, gjë që konfirmon peshën e tij institucionale dhe rëndësinë strategjike për modernizimin e sektorit publik.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, si bartëse e kësaj reforme strategjike, po punon intensivisht për të siguruar burime financiare për realizimin e obligimeve që rrjedhin nga Agjenda e Reformave, si dhe nga obligimet ligjore ekzistuese. Në përputhje me kornizën ligjore, çdo vit parashihet të rindërtohet të paktën 3% e sipërfaqes së përgjithshme e të dobishme të ndërtesave publike, ku masat e efikasitetit energjetik janë pjesë e detyrueshme dhe e pandashme e çdo rindërtimi.
Në takim u theksua se aktualisht po përgatitet një i ashtuquajtur studim scoping, (studim për përcaktimin e përfshirjes), i cili do të përcaktojë në detaje parametrat për rehabilitimin dhe restaurimin e ndërtesave, si dhe kritere të qarta për prioritizimin e ndërtesave që do të jenë të parat që do të hyjnë në procesin e rindërtimit.
Me këtë, shteti po ndërmerr një hap të madh drejt uljes së konsumit të energjisë, uljes së kostove për sektorin publik, kushteve më të mira të punës në institucione dhe uljes së ndjeshme të emetimeve të gazrave të dëmshëm, në përputhje me politikat evropiane klimatike.
Kjo reformë paraqet një hap konkret drejt administratës publike më të gjelbër, më ekonomike dhe më të qëndrueshme – me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe për buxhetin e shtetit.
Me respekt,
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale