Bozhinovska dhe MERSM mbështesin inovatorët e rinj: Ministria është patronazhuese e Konkursit Kombëtar të Shkollave të Mesme për Inovacione të Gjelbra

Bozhinovska dhe MERSM mbështesin inovatorët e rinj: Ministria është patronazhuese e Konkursit Kombëtar të Shkollave të Mesme për Inovacione të Gjelbra

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve  minerale, Sanja Bozhinovska, sot, në kuadër të hapjes zyrtare të “Natës Evropiane të Hulumtuesve” në MANU – Shtëpia e Shkencës, zyrtarisht njoftoi mbështetjen dhe patronazhin e Ministrisë, si dhe mbështetjen e saj personale si ministre, për Konkursin Kombëtar për konceptin më të mirë të biznesit për inovacione të gjelbra për shkollat e mesme.

Bëhet fjalë për një konkurs që prej gati dy dekadash i nxit nxënësit e shkollave të mesme të mendojnë në mënyrë inovative dhe sipërmarrëse, si dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre në zgjidhje konkrete për sfidat e shoqërisë moderne. Vitet e fundit, konkursi është përqendruar tërësisht në inovacionet e gjelbra dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për tranzicionin e gjelbër.

Ngjarja zhvillohet në kuadër të “Natës Evropiane të Hulumtuesve”, një iniciativë që e afron shkencën, kërkimin shkencor dhe inovacionet me qytetarët, veçanërisht me të rinjtë. Pikërisht nga ky vend, Bozhinovska përcolli mesazhin se institucionet duhet të krijojnë hapësirë që idetë e të rinjve të marrin mbështetje dhe mundësi për t’u shndërruar në zgjidhje reale.

„Nëse duam një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme, duhet të investojmë tek të rinjtë që do ta krijojnë atë. Me këtë patronazh qëndrojmë pas dijes, kreativitetit dhe inovacionit të tyre dhe përcjellim një mesazh të qartë se idetë e tyre janë të rëndësishme dhe se institucionet janë këtu për t’i mbështetur. Kjo është mbështetje për dijen, inovacionin, sipërmarrjen dhe guximin e të rinjve për të krijuar zgjidhje”, theksoi Bozhinovska.

Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të MANU-së, studiuesve, profesorëve dhe mësimdhënësve, ministrja theksoi se pikërisht iniciativa të tilla përbëjnë urën lidhëse ndërmjet shkencës, arsimit, inovacioneve dhe nevojave reale të shoqërisë.

„Nata Evropiane e Hulumtuesve” është një mundësi që shkenca të dalë nga laboratorët dhe qarqet akademike dhe të bëhet më e afërt me qytetarët, veçanërisht me të rinjtë. Në një kohë të zhvillimit të shpejtë teknologjik, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, Bozhinovska theksoi se teknologjia në vetvete nuk është e mjaftueshme – nevojiten dije, kreativitet dhe përgjegjësi që ajo të shndërrohet në një inovacion të vërtetë.

Konkursi Kombëtar për konceptin më të mirë të biznesit për inovacione të gjelbra për shkollat e mesme organizohet prej 18 vitesh, ndërsa që nga viti 2009 bashkëorganizatorë janë Qendra Kombëtare për Zhvillimin e Inovacioneve dhe Mësimit Sipërmarrës (QKZHIMS) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – Shkup pranë UKIM-it.

Që nga viti 2021, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike funksionon edhe Qendra e Ekselencës për Inovacione të Gjelbra, e cila është organizatorja kryesore e konkursit. Konkursi tashmë ka fituar edhe një njohje të rëndësishme evropiane – ka fituar prestigjiozin ETF Green Skills Award 2025, në konkurrencë me 250 aplikime nga më shumë se 50 vende.

Këtë vit, interesimi i nxënësve të shkollave të mesme është veçanërisht i madh. 42 ekipe të nxënësve të shkollave të mesme kanë paraqitur zgjidhjet e tyre inovative të gjelbra, ndërsa më shumë se 60 mësimdhënës nga Shkupi, Ohri dhe Shtipi morën pjesë në trajnime lidhur me përgatitjen e konkursit.

Me njoftimin zyrtar të patronazhit, Bozhinovska u bëri thirrje nxënësve të shkollave të mesme të mendojnë me guxim, të hulumtojnë dhe të krijojnë.

„Nuk duhet të keni frikë nga idetë e mëdha. Hulumtoni, eksperimentoni dhe përdorni dijen dhe teknologjitë e reja për të krijuar zgjidhje. Ndoshta pikërisht një ide që nis si projekt shkollor do të shndërrohet në një inovacion, kompani apo zgjidhje që një ditë do të kontribuojë për energji më të pastër, përdorim më efikas të burimeve dhe një jetë më të mirë për të gjithë ne”, theksoi Bozhinovska.

Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve  minerale, përmes patronazhit, i bashkohet nismës për mbështetjen e të rinjve, zhvillimin e aftësive të gjelbra dhe krijimin e një gjenerate të re inovatorësh, me qëllim që dija dhe kreativiteti i të rinjve të kenë hapësirë për t’u shndërruar në zgjidhje konkrete dhe mundësi të reja.

Duke folur për rëndësinë e shkencës dhe inovacioneve, Bozhinovska theksoi se tranzicioni energjetik, efikasiteti energjetik, burimet e rinovueshme, teknologjitë e reja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve nuk janë vetëm çështje për institucionet.

„Përgjigjet ndaj këtyre sfidave do t’i krijojnë pikërisht të rinjtë e sotëm. Prandaj, ata nuk duhet të jenë vetëm pjesëmarrës të ardhshëm në ndryshime – ata duhet të jenë krijuesit aktivë të tyre”, theksoi ministrja.

Nga Ministria theksojnë se mbështetja e nismave të tilla është një investim në të ardhmen – sepse tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një ndryshim i sistemit energjetik, por edhe një ndryshim i mënyrës se si mendojmë, krijojmë dhe ndërtojmë ekonominë.

Nga “Nata Evropiane e Hulumtuesve” në MANU, mesazhi është i qartë: kur të rinjtë kanë dije, ide dhe guxim për të krijuar, institucionet duhet t’u ofrojnë hapësirë dhe mbështetje që idetë e tyre të bëhen realitet.

 

Me respekt,

Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale

Accessibility Menu