„Maqedonia ka bërë një zgjedhje të qartë strategjike: e ardhmja jonë është e gjelbër, e sigurt nga pikëpamja energjetike dhe e qëndrueshme. Politika energjetike nuk ka të bëjë më vetëm me prodhimin e energjisë elektrike. Ajo lidhet me konkurrueshmërinë ekonomike, shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë", theksoi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në mbledhjen e sotme të Komitetit të Tretë Drejtues në kuadër të Kornizës Programore ndërmjet Sida-s dhe UNDP-sëNë takim morën pjesë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, ambasadori i Suedisë në vend, Ola Solstrom, përfaqësuesi i përhershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Armen Grigoryan, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe institucioneve.
Duke shprehur mirënjohjen ndaj Suedisë dhe UNDP-së për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, ministrja Bozhinovska theksoi se partneriteti i ndërsjellë na ka ndihmuar të ndërtojmë institucione më të forta, të zhvillojmë zgjidhje inovative dhe të përshpejtojmë reformat që sjellin përfitime konkrete për qytetarët tanë.
„Qeveria mbetet e përkushtuar fuqishëm që rezultatet e arritura përmes këtyre përpjekjeve të bëhen pjesë e politikave tona afatgjata kombëtare. Së bashku, jo vetëm që po përballemi me sfidat e sotme, por po ndërtojmë një të ardhme më të pastër, më të gjelbër dhe më të begatë për Maqedoninë", tha ministrja Bozhinovska.
Sipas ministres, ky partneritet tregon se si bashkëpunimi ndërkombëtar, pronësia kombëtare dhe veprimi në nivel lokal mund të japin së bashku përgjigje ndaj disa prej sfidave më të mëdha të kohës sonë: ndotjes së ajrit, ndryshimeve klimatike, sigurisë energjetike dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal.
Ministrja theksoi se Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e vendos tranzicionin e gjelbër në qendër të agjendës së saj.
„ Po përshpejtojmë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, po avancojmë masat për efiçencën energjetike dhe po krijojmë kushte për dekarbonizimin gradual të ekonomisë sonë. Por, tranzicioni i gjelbër duhet të sjellë përfitime të dukshme për qytetarët. Energjia e pastër nënkupton ajër më të pastër. Kjo do të thotë emetime më të ulëta, komunitete më të shëndetshme dhe komuna moderne që janë më të përgatitura për të tërhequr investime dhe për të krijuar mundësi për zhvillim lokal", theksoi ministrja Bozhinovska
Sipas ministres Bozhinovska, Korniza Programore Sida–UNDP ka një rëndësi të veçantë, pasi lidh prioritetet kombëtare me veprimin në nivel lokal dhe i ndihmon institucionet të kalojnë nga planifikimi në zbatim, duke dëshmuar se zgjidhjet e qëndrueshme janë të mundshme kur qeveria, komunat, partnerët zhvillimorë dhe qytetarët punojnë së bashku.
Me respekt,
Мinistria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale