Ministrja për energjetikë, minerale dhe burime minerale, Sanja Bozhinovska, mbajti një takim me Ambasadorin e Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut, z. Jaroslav Ludva, i shoqëruar nga Shefi i Departamentit Ekonomiko-Konsullor, z. Květoslav Sulek.
Gjatë takimit, ata diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe ranë dakord për aktivitete konkrete për realizimin e dy iniciativave të ministres Bozhinovska: mbajtjen e një seance të përbashkët ministrash nga të dy vendet në sektorë të ndryshëm për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe iniciativën për vendosjen e një linje ajrore direkte Shkup – Pragë.
Ministrja Bozhinovska dhe Ambasadori Ludva do të angazhohen që në seancë të nënshkruhen memorandumet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe të shqyrtohen aktivitete konkrete për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe energjetike. Për më tepër, u propozua që në delegacion të përfshihen edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit maqedonas për të krijuar partneritete me kompanitë çeke.
Ministrja Bozhinovska theksoi rëndësinë e lidhjes direkte midis dy vendeve dhe njoftoi kënaqësinë e saj që nisma e saj për linjën ajrore direkte me Pragën mori mbështetje të fortë nga Ambasadori, i cili u angazhua për realizimin e saj.
„Më gëzon veçanërisht që Ambasadori i Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut, z. Ludva, mbështeti iniciativën time për një linjë ajrore direkte Shkup – Pragë. Me përpjekjen tonë të përbashkët, ky projekt është në rrugën e realizimit dhe në muajt që vijnë do të krijohet një linjë ajrore e rregullt, që do të kontribuojë në lehtësimin e bashkëpunimit në tregti, biznes dhe shkëmbime kulturore. Kjo do të vendosë themelet për partneritete dhe investime të reja“, tha Bozhinovska.
Ministrja dhe Ambasadori informuan gjithashtu që, përveç linjës ajrore Shkup-Pragë, po shqyrtohet mundësia për hapjen e një linje sezoni Pragë-Ohrid, me qëllim stimulimin e lidhjeve turistike dhe promovimin e Ohrit si një destinacion me interes për turistët çekë.
Ky takim paraqet një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim midis Çekisë dhe Maqedonisë së Veriut, që është në interes të qytetarëve dhe ekonomive të të dyja vendeve.